Takimi dypalësh mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak ka përfunduar. Kryeministri Edi Rama u prit sot nga Kryeministri britanik Rishi Sunak në Downing Street në kuadër të një vizite më të gjerë të kreut të qeverisë shqiptare në Londër. Të dy kryeministrat shprehën ambicien e tyre të përbashkët për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, bashkëpunimin në adresimin e kërcënimeve globale dhe rajonale dhe forcimin e partneritetit dypalësh. Ata vunë në dukje potencialet e mëdha për rritjen e marrëdhënieve tregtare, investimeve dhe në fushën e teknologjisë, ndërkohë që Kryeministri britanik Sunak mirëpriti sërish kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar të Britanisë së Madhe në jetën britanike. Si aleatë në NATO, anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe partnerë të ngushtë, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak riafirmuan gjithashtu angazhimin e tyre për të punuar së bashku për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve të të dy vendeve, mbrojtjen e demokracisë dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe një përgjigje të fuqishme ndërkombëtare ndaj agresionit nga Rusia. Kjo do të përfshijë ndihmën e mbrojtjes kibernetike shqiptare përballë kërcënimeve në internet.

Kryeministrat e dy vendeve u angazhuan për thellimin e punës në kuadër të Deklaratës së Përbashkët dhe Task-Forcës për të cilat u ra dakord në dhjetor, për të çuar përpara prioritetin e përbashkët në adresimin e migracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale të trafikimit të njerëzve. Ata diskutuan rritjen e bashkëpunimit operacional, duke përfshirë komunikimet e përbashkëta të nivelit të lartë për të frenuar pikësëpari udhëtimin e njerëzve dhe marrëveshje të mëtejshme për shkëmbimin e të dhënave dhe pasaportat. Dy kryeministrat përshëndetën progresin e deritanishëm, pasi rreth 800 emigrantë të paligjshëm janë kthyer në Shqipëri që prej muajit dhjetor, veprimet kundër krimit të organizuar dhe udhëzimet e reja të Mbretërisë së Bashkuar që përcaktojnë Shqipërinë një vend të sigurt.

Për bashkëpunimin në drejtësinë penale, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak përshëndetën punën e përbashkët në vijim për ekstradimet, ndjekjet penale dhe kapacitetet e mjekësisë ligjore dhe ekstradimin e qindra të burgosurve në bazë të marrëveshjeve ekzistuese. Ata ranë dakord që një ekip i përbashkët mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë, një proces që do të përfundojë deri në fund të prillit, me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve të përcaktuar shqiptarë në sistemin e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar.

Në fund, të dy kryeministrat mirëpritën progresin në bashkëpunimin e biznesit dhe bashkëpunimin universitar, duke përfshirë hapjen e Dhomës së re Britanike të Tregtisë në Shqipëri, dyfishimin e fondit të gatishmërisë për përballimin e rrezikut të tregut për financimin e eksporteve britanike për Shqipërinë në 4 miliardë stërlina, për lehtësimin e investimeve dhe thellimin e lidhjeve mes universiteteve të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Artikulli paraprakIFTARI I PARË I MUAJIT TË SHENJTË TË ‘RAMAZANIT’ BËN BASHKË PËRFAQËSUESIT POLITIKË!
Artikulli tjetërSHKENCËTARËT PO PËRDORIN INTELIGJENCËN ARTIFICIALE PËR TË HEDHUR DRITË MBI KRIJIMIN E UNIVERSIT