Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas publikimit të përgjimeve të bandës të Shijakut, ku shfaqet edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako duke biseduar me vëllanë e kreut të grupit.
Për Bashën, kjo është një provë e qartë dhe Dako duhet të merret i pandehur, pasi sipas tij, kryebashkiaku i Durrësit pranoi se ‘ka bashkëpunuar me bandat për të dhunuar zgjedhjet’.
Tashmë është e qartë për këdo se Edi Rama ka patur një plan të shtrirë mbarë vendit, për bashkëpunim me krimin për të vjedhur zgjedhjet. Duhet urgjentisht një hetim i posaçëm dhe i pavarur për këtë operacion kriminal.
Vangjush Dako është i pari që duhet të merret i pandehur. Mosarrestimi i Vangjush Dakos edhe pasi pranoi mbrëmë publikisht se ka bashkëpunuar me bandat për të dhunuar zgjedhjet, është shkatërrim i demokracisë dhe vdekje e drejtësisë.
Dua t’i kujtoj dyshes Marku-Prela dhe Arta Markut se dëmtimi i provave dhe manipulimi i hetimeve për krimet elektorale të Dakos, Ballës, Gjiknurit,Tahirit e të tjerë, është krim i rëndë për të cilin do të mbajnë përgjegjësi.
Kur prokuroria mbron krimin, ka rënë shteti.Në një nga përgjimet e publikuara prokuroria ka regjistruar një bisedë mes kryebashkiakut të Durrësit dhe një personi tjetër me pseudonimin ‘Nicja’ i quajtur Altin Avdyli pjesë e bandës së Shijakut tashmë i arrestuar.
Nga kjo bisedë e përgjuar transmetuar nga TV Klan, Dako interesohet që të takojë me një person tjetër i quajtur Astrit, i arrestuar të dielën e shkuar si kreu kësaj bande kriminale.
Sipas transkriptit të kësaj bisede Vangjush Dako kërkon të takohet me Astritin për ta falënderuar dhe folur për diçka, dy ditë pas zgjedhjeve të 2017. Ndërkohë që në një tjetër përgjim të publikuar nga Berisha, Dako është kapur duke biseduar me Jasin Avdylin, i cili po ashtu është i arrestuar.