Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se Serbia duhet të ndërprerë përkrahjen për milicinë që ka shkaktuar protesta në veri dhe se përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht përpara se qeveria të shqyrtojë lehtësimin e qëndrimit të saj. Në një intervistë për “Bloomberg” ku ka folur për situatën në veri të Republikës së Kosovës, Kurti ka shtuar se zgjidhja e situatës në veri nuk varet vetëm nga Kosova.

“Ne nuk mund t’i nënshtrohemi si një republikë demokratike kësaj milicie të dhunshme. Ne duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”, tha ai.

Kurti i ka quajtur “të padrejta” kritikat e aleatëve dhe e ka bërë të qartë se Qeveria e tij nuk tërhiqet pavarësisht presionit në rritje nga SHBA dhe BE. Ai ka folur për presionin ndaj Qeverisë dhe për vendimin e SHBA-së për të përjashtuar FSK-në nga Defender Europe 2023, duke thënë se “s’është mirë që Kosova të bullizohet”.

“Nuk është në rregull të bullizosh Kosovën. Sa herë që Shtetet e Bashkuara kërkojnë diçka nga ne, ne nuk pyesim pse, por vetëm kur dhe si”, shtoi ai, duke e quajtur përjashtimin nga manovrat jo të drejtë.

Artikulli paraprakDORËZOHET BERISHA: ZGJEDHJET I HUMBËM
Artikulli tjetërMBIJETUAN PËR 40 DITË NË XHUNGLËN E KOLUMBISË, MOMENTI KUR 4 FËMIJËT QË I SHPËTUAN AKSIDENTIT AJROR NXIRREN NGA PYLLI