Përjetësisht në burg! Është ky dënimi i Gjykatës së Hagës për ish-komandantin serbo-boshnjak Ratko Mladiç, i cili u shpall fajtor për 10 nga 11 akuzat e ngritura kundër tij, përfshi genocidin dhe krime ndaj njerëzimit gjatë luftës së Bosnjes në vitet ’90. I njohur si “Kasapi i Bosnjes”, Mladic u dënua për masakrën e mëse 8.000 boshnjakëve muslimanë në Srebrenicë në 1995 dhe rrethimin e Sarajevës ku mëse 10.000 persona humbën jetën.

74-vjeçari u përjashtua nga salla e gjykatës pak para shpalljes së vendimit të shumëpritur, për shkak se kishte ngritur zërin ndaj gjyqtarëve. Këta të fundit refuzuan kërkesën nga avokati i Mladic për shtyrjen e seancës për çështje shëndetësore. Sidoqoftë, në fillim të procedimit, Mladic u shfaq i qetë e madje buzëqeshi për kamerat. Në përfundim të luftës së Bosnjes më 1995, Mladiç u fsheh dhe jetoi në Serbi, i mbrojtur nga familja dhe elementë të forcave të sigurisë.

Ai u padit për genocid dhe krime ndaj njerëzimit, por iu shmang drejtësisë për 16 vite, përpara se ai të gjurmohej dhe arrestohej në një fshat në Serbinë veriore në 2011. Verdikti për dënimin e tij u ndoq nga viktima dhe të afërm të tyre në një qendër përkujtimore pranë Srebrenicës, si dhe u ndoq nga dhjetëra persona të mbledhur jashtë sallës së gjyqit, të cilët mbanin fotografi të personave të vrarë ose të humbur.

Artikulli paraprakBARDH SPAHIA NË TONIGHT STAR PLUS
Artikulli tjetër67 % E TË RINJVE KONSUMOJNË ALKOOL