Përkthimi gabim i vettingut, BE: Përgjegjësi e institucioneve shqiptare
Bashkimi Europian ka reaguar lidhur me gabimet në përkthim të ligjit të vettingut. Maja Kocijançiç, Zëdhënëse për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së dhe për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit në një deklaratë për mediat thotë se “transmetimi i përkthimeve zyrtare të çdo dokumenti është përgjegjësi vetëm e atyre institucioneve shqiptare që i paraqesin ato para Komisionit të Venecias”. BE dënon përhapjen publike të akuzave të rreme që pretendonin se EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar që i është dërguar për shqyrtim Komisionit të Venecias. “Shqiptarët mbështesin në shumicë dërrmuese reformën tërësore të drejtësisë që përfshin procesin e rivlerësimit (vettingun)” theksohet në deklaratë. BE nënvizon se veprimet apo deklaratat, të cilat në mënyrë artificiale synojnë të krijojnë konfuzion, duket se kanë të vetmin qëllim që të mundohen të vonojnë zbatimin e reformës së drejtësisë, përfshirë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. BE deklaron se është e vendosur të vazhdojë të sigurojë gjithë asistencën e nevojshme që qytetarët e Shqipërisë të kenë qasje në një sistem drejtësie të besueshëm dhe të përgjegjshëm.