Më 6 prill të dy viteve më parë një aksident ajror i mori jetën dy pilotëve të shpallur “Dëshmor të Atdheut”, kapiteni Florian Delia dhe togeri Donald Hoxha.
Ky përvjetor i tyre është përkujtuar në bazën ajrore të Farkës nga Forcat e Armatosura, ku ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, tha se edhe forcat ajrore janë në proces reformimi.
“Ashtu si edhe një pjesë tjetër e ushtrisë, tanimë në NATO edhe arma e aviacionit ndodhet në një proces reformimi dhe modernizimi, për rritjen e performancës dhe kapaciteteve tona në hapësirën ajrore.
Specifika e profesionit të ushtarakut është përkushtimi dhe gatishmëria për të sakrifikuar edhe jetën e tyre. Pavarësisht armës ku bëjnë pjesë dhe frontit ku shërbejnë që në momentin e parë një ushtarak vesh uniformën dhe merë përsipër angazhimin solemn duke qenë i gatshëm për ti shërbyer atdheut, duke sakrifikuar atë që është më sublime, jetën, për kombin, popullin dhe vendin e tij.
Ky angazhim solemn i një ushtaraku na detyron të gjithëve të kujtojmë me respekt sakrificën e atyre që jeta ju pre shkurt, ju pre në lule të moshës, por edhe gjithë të tjerëve që i shërbejnë atdheut të përbashkët dhe që kanë marrë përsipër rreziqet që ju cenojnë jetën dhe profesioni i pilotit mbetet një prej tyre.
Sigurisht, trajnimi, taktika, pajisjet përdorimi i elementëve të tjerë që i janë shtuar ose përmirësuar me kalimin e kohës e kanë ulur probabilitetin e aksidenteve.”- u shpreh Xhaçka.
Më pas, ministrja së bashku me Shefin i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade, Bardhyl Kollçakun, drejtuesin e Forcës Ajrore, Kuto Hasanin, si dhe familjarë e të afërm të dëshmorëve vendosën kurora dhe buqeta me lule në memorialin kushtuar pilotëve të rënë në Bazën Ajrore të Farkës.
Kapiten Florian Delia dhe toger Donald Hoxha ranë në krye të detyrës dy vite më parë, si pasojë e rrëzimit të helikopterit EC -145 në Grizhë të Malësisë së Madhe, gjatë një fluturimi stërvitor, ku mbeti i plagosur edhe ushtari profesionist, Gerald Baramuça.