29 Prilli i vitit 1997 do të sillte tragjedinë më të madhe të ndodhur ndonjëherë në Mat e më gjerë.
Plot 23 persona humbën jetën pas një shpërthimi të municioneve luftarake në tunelet e ushtrisë në Qafshtamë. Teksa gërmonin për he hequr diagoret dhe për të marrë materialin luftarake të cilin më pas do ta shisnin, gra, fëmijë e të rinj mbeten të vdekur pasi njëri nga tunelet shpërtheu.
Për të përkujtuar këtë tragjedi, banorë të fshatit Selixë i cili kishte edhe numrin më të madh të atyre që humbën jetën, ishin pranë vendit të tragjedisë për të përkujtuar të afërmit e tyre.
Vetëm 11 nga 23 viktimat janë identifikuar dhe varrosur, ndërsa të tjerëve nuk iu është gjetur trupi.
Pak muaj më parë, ministria e mbrojtjes nëpërmjet forcave xheniere nisi pastrimin e tuneleve ku dhe konstatoi eshtra njeriu në njërin nga tunelet.
Ndërkohë banorët që kanë humbur të afërmit e tyre aty, thonë se prej 7 muajsh nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ministria e mbrojtjes se kujt i përkisnin eshtrat e gjetura në pastrimin e tuneleve.
“Të paktën ta kishim varrosur edhe pa identifikim veç ta kishim varrosur, se njeri ka qenë”, u shpreh një banor.
“U bë një vit dhe akoma nuk dihet se ku e ka çuar, s’ka ardhur akoma të marrë askush analiza, s’dihet se ku e kanë çuar. Aty mund të jenë gjetur shumë kufoma. Shteti i bëj thirrje se e kujt është ajo kufomë. Ndoshta janë motrat e mia, ndoshta të tjetrit. Ta flemë mendjen të paktën”, tha një tjetër.
Gjithashtu banorët e Selixës shprehen se në këto vite shteti nuk është kujdesur për ta, madje në vitet e fundit nuk po përkujtohen më këto viktima nga instancat shtetërore apo lokale.