Disa persona mbetën të plagosur në Bejrut pasi forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmat e protestuesve antiqeveritarë që përpiqeshin të arrinin te Sheshi i Dëshmorëve, qendra e një lëvizjeje proteste disa mujore që kërkonte ndryshime në sistemet politike dhe financiare të Libanit.

Të shtunën, demonstruesit u nisën nga pika të ndryshme në kryeqytet në një marshim drejt qendrës së qytetit nën parullën: “Ne nuk do të paguajmë çmimin”.

Por para se të gjithë të bashkoheshin pranë rrugës që çon në Parlament, dhjetëra protestues hodhën gurë, tabela të qarkullimit rrugor dhe degë peme ndaj forcave të sigurisë që ruanin institucionin.

Nga ana e tyre, forcat e sigurisë u kundërpërgjigjen ndaj të rinjve me ujë dhe gazlotsjellës.
Kryqi i Kuq tha se më shumë se 160 njerëz nga të dy palët u plagosën në përleshje.
“Mbi 65 njerëz … janë dërguar në spitalet e afërta dhe mbi 100 njerëz janë trajtuar në vendin e ngjarjes,” tha një zëdhënës.

“Një konfrontim i drejtpërdrejtë dhe i dhunshëm po zhvillohet me policinë kundër rebelimit në një nga hyrjet në parlament,” thanë Forcat e Brendshme të Sigurisë në Twitter.
“Ne kërkojmë nga protestuesit paqësorë të largohen nga vendi i trazirave për sigurinë e tyre.”

Ata publikuan foto të disa policëve të plagosur dhe një video që tregon kolonat e zhveshura nga pllakat, të cialt raportohet se janë hedhur ndaj forcave të sigurisë.

Zeina Khodr i Al Jazeera, duke raportuar nga Beirut, tha: “Forcat e sigurisë nuk arritën t’i largojnë protestuesit larg Sheshit të Dëshmorëve, epiqendra e lëvizjes protestuese”.
“Njerëzit thonë se sa më shumë dhunë përdoret ndaj nesh, aq më revolucionar bëhemi. Ata premtojnë të qëndrojnë në rrugë dhe të vazhdojnë me aksionin e tyre të protestave derisa të shohin një ndryshim në udhëheqje.”

Protestuesit e zemëruar i thanë Al Jazeera që nuk do të tërhiqeshin dhe do të vazhdojnë të kërkojnë ndryshime.

“Në qoftë se gjërat nuk ndryshojnë, në Liban nuk ia vlen të jetosh. Ne jemi në një krizë ekonomike dhe politikanët tanë kanë provuar se janë një dështim i vërtetë. Ne nuk kemi asgjë,” tha një protestues pranë Sheshit të Dëshmorëve.

Presidenti Michel Aoun urdhëroi ushtrinë dhe komandantët e sigurisë të rivendosin qetësinë, ndërsa Saad Hariri, i cili dha dorëheqjen si kryeministër në tetor, tha se dhuna kërcënonte paqen civile. “Është një skenë e çmendur, e dyshimtë dhe e refuzuar”, shkroi ai në Twitter.

Lëvizja protestuese që tronditi Libanin që nga 17 tetori u ringjall këtë javë, për shkak të vonesave në formimin e një kabineti të ri për të adresuar krizën akute ekonomike të vendit.

Nuk duket se është arritur ndonjë përparim drejt një formacioni përfundimtar, për të cilin protestuesit kërkojnë të përbëhet nga ekspertë të pavarur dhe të përjashtojë të gjitha partitë politike tradicionale.

Artikulli paraprakATENTATI ME DY TË PLAGOSUR NË VLORË ENDE PA AUTOR, 10 TË SHOQËRUAR
Artikulli tjetërQËLLON ME PISTOLETË MANOVËR KUSHËRIRIN PËR PRONËN, ARRESTOHET