Një përleshje mes grupeve rivale në një burg në jug – perëndim të Meksikës ka çuar në vdekjen e 28 personave.

Sherri shpërtheu orët e para të mëngjesit të së enjtes, në burgun e sigurisë së lartë të Las Cruces, në qytetin e Acapulco. Sipas BBC, viktimat u goditën me thikë e u kafshuan për vdekje dhe disa të tjerëve iu pre koka. Guvernatori ka urdhëruar nisjen e hetimeve për ngjarjen në fjalë. Acapulco është qyteti më i madh në shtetin e Guerrero, një prej zonave më të dhunshme në Meksikë dhe një qendër e madhe e prodhimit të drogës. Trupat u zbuluan nëpër të gjithë ambientin e burgut, përfshirë në kuzhinë. Sipas një zëdhënësi të sigurisë, nuk ka të dhëna se janë përdorur armë, ndërsa nën hetim do të jenë edhe stafi i burgut. Ai tha gjithashtu se incidenti shpërtheu pas përplasjeve të vazhdueshme mes grupeve rivale që ndodhen në këtë burg. Acapulco dikur ishte një ndër vendet më popullore për turistët në Meksikë, por kohët e fundit ka parë një rritje të dhunës për shkak përplasjeve mes bandave që kërkojnë të kontrollojnë aktivitetet e tyre të jashtëligjshme. Ai është kthyer në një prej qyteteve më vdekjeprurëse në vend. Burgu i Las Cruces është i mbipopulluar, me më shumë se 2 mijë të dënuar. Kjo është rasti më i fundit i një serie ngjarjesh dhune nëpër Meksikë këtë vit. Muaji Maj ishte më i përgjakshmi në vend që prej 1997 -ës, me 2,186 vrasje. Nga Dhjetori 2006 deri në Maj të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare ka patur 188,567 vrasje.

Artikulli paraprakGJAKDERDHJE NË GADISHULLIN E SINAIT, RRETH 50 TË VRARË
Artikulli tjetërMBYLLET FSHIRJA AUTOMATIKE, U FALËN 111.356 GJOBA PËR MOSDEKLARIM