Shërbimi i përmbarimit shtetëror ka shfaqur vonesa të theksuara ku 27% e çështjeve kanë qenë në tejkalim të afateve procedurale. Të dhënat e administruara në një auditim të Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se kjo vonesë e theksuar gjatë vitit 2022 ka qenë shumë më e lartë sesa vitet e mëparshme duke e bërë volumin e dosjeve të mbartura tejet të lartë.
“Veprimtaria e shërbimit përmbarimor shtetëror cenohet edhe nga numri i lartë i dosjeve në ekzekutim, të cilat shpeshherë akumulohen nga viti në vit. Gjatë vitit 2022, përmbarimi shtetëror ka pasur një total prej 57,035 çështjesh, duke përfshirë pensionet ushqimore dhe takimet me fëmijët, të cilat janë në ekzekutim të vazhdueshëm. Gjatë këtij viti, 15,434 çështje kanë qenë në tejkalim të afateve procedurale.
Ndërkohë, gjatë vitit 2021 ka pasur një total prej 55,213 çështjesh, por vetëm 172 prej tyre kanë qenë në tejkalim të afateve procedurale. Gjatë vitit 2020 ka pasur një total prej 50,983 çështjesh, ku 329 prej tyre kanë qenë në tejkalim të afateve procedurale” thuhet në auditim. Ndërkohë sipas audituese numri i çështjeve të ekzekutuara ka qenë i përafërt gjatë viteve në fjalë, por diferencën e bëjnë dosjet e mbartura. Kjo problematikë sipas tyre ka ardhur edhe si pasojë e vështirësive të hasura në vendosjen e pasurive në sekuestro, për shkak të mungesës së bashkëpunimit me institucionet e përfshira. Numri i dosjeve për çdo përmbarues është relativisht i lartë duke kaluar mbi shifrën 800 kur mesatarisht sugjerohet që ky numër dosjesh për përmbarues të jetë në kufirin e 200.
“Duke marrë në konsideratë statistikat e paraqitura më lart, konstatohet se raporti midis dosjeve për ekzekutim dhe numrit faktik të përmbaruesve është jo proporcional. Konkretisht, nëse do të bëhej një pjesëtim i thjeshtë në fund të vitit 2022, rezulton se për çdo përmbarues shtetëror janë afërsisht 839 dosje në ekzekutim. Një ngarkesë e ngjashme konstatohet edhe në vitet e kaluara, ku në vitin 2020 ky raport është afërsisht 809 dosje për përmbarues dhe në vitin 2021 rreth 824 dosje për përmbarues.
Në rend kronologjik vihet re një rritje e lehtë pas çdo viti, e cila rrezikon të thellohet për shkak të dosjeve të mbartura. Ky volum pune nuk ruan një raport normal midis dosjeve përmbarimore dhe numrit të përmbaruesve, duke cenuar rrjedhimisht afatet procedurale dhe cilësinë e shërbimit të ofruar. Nga praktika ndër vite e shërbimit përmbarimor shtetëror sugjerohet që numri i dosjeve për secilin përmbarues mos të jetë më i madh se 200. Megjithatë, në lidhje me këtë shifër nuk ka një kriter të miratuar zyrtarisht” nënvizon KLSH.