Prokuroria e Tiranës është duke kryer hetimet për shkaqet që sollën përmbytje në aksin e autostradës Tiranë-Durrës mbrëmjen e 30 nëntorit, ku dëmet materiale arrijnë në miliona euro.

 

Akuza e kryeqytetit sqaroi se aktualisht ndodhen në fazën e verifikimit të dëmeve materiale, ndërsa është kërkuar dhe ekspertiza e inxhinierëve hidrikë për të kuptuar nëse kanë funksionuar apo jo kanalet kulluese anash autostradës. Vërshimi i ujërave në autostradën Tiranë-Durrës solli përmbytjen e këtij aksi, ndërsa u bllokuan deri mesditën e datës 1 dhjetor dhjetëra automjete, të cilat kanë dalë jashtë përdorimit për shkak të depërtimit nga uji. Drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët u detyruan të dalin nga dritaret e automjeteve dhe t’i braktisin ato mes rrjedhës së ujit. Përmbytjet sollën edhe dëme të mëdha në bizneset e zonës. Një grup hetimor i përbërë nga policia ndërtimore, policia e rendit dhe prokuroria e Tiranës ishin të pranishëm në vendin e përmbytjes paraditen e 1 dhjetorit, duke vlerësuar nga afër situatën e dëmveve dhe shkaktarët. Prokurori Ervin Karanxha që ishte i pranishëm në zonën e përmbytjes paralajmëroi se organi i akuzës do kryejë hetime për ndërtimet pa leje pranë autostradës dhe projektin e mbjelljes së palmave.

“Do verifikohet nëse ka apo jo elementë të veprës penale që shkaktuan përmbytjet. Do verifikohen ndërtimet pa leje, bizneset dhe bllokimi i kanaleve kulluese. Kemi marrë denoncimet e bizneseve dhe banorëve, po bëjmë verifikimet tona. Sigurisht që do jenë objekt i hetimeve edhe palmat, por këtu ku ka ndodhur kjo nuk shohim ndonjë palmë. Qytetarët nëse kanë pretendime të bëjnë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës”- tha ai, ndërsa për Shqiptarja.com sqaroi se në fokusin e hetimit që tashmë ka nisur do jenë dhe zyrtarë të ALUIZNI-t, zyrtarë të ish-komunës Kashar dhe bashkisë Vorë, që kanë miratuar lejë ndërtimi për biznese të ndryshëm, duke ndërtuar mbi kanale kulluese apo duke ngushtuar këto kanalizime.

Artikulli paraprakPËRMBYTJA E PRONAVE E BIZNESEVE, 4 PROKURORI NISIN VERIFIKIMIN
Artikulli tjetërVIDHET BIZNESI, MERREN GJYSMË MILIONI LEKË