“A po na e mbysin dalëngadalë Mbretneshën, bijtë e çakejve?!”-kjo është pyetja që shtron myftinia e Shkodrës në një deklaratë në lidhje me përmbytjen e xhamisë së plumbit.

Myftinia ka qenë e drejtpërdrejtë në reagim. “Në faqet e librit të Lec Shllakut ‘Shtegtimi i Monumeteve’, në parathënie thuhet: “Po japim disa të dhana mbi humbjet, që i kanë shkaktue trashigimisë sonë të ndërtimeve për shpërfytyrimet, shndrrimet e shembjet e mjaft objekteve historike e kulturore. Ato kanë ra flijë e vendimeve të ngutuna të dalldisë politike e të fanatizmit të të gjitha llojeve e shpesh herë inkompetente të n’punësve të paaftë. Realiteti i sotëm ndërtues i qytetit , zëvendsimi i së vjetrës me nji të re të papërcaktueme, me fizionomi të zbehtë kombtare, e padit nivelin e ulët të mjeshtrisë ndërtuese t’atyne, që zunë vendin e arkitektëve tanë të shquem paraardhës”-shprehet në deklaratë myftinia duke iu referuar Lec Shllakut. “Konstatimet përligjen me katrahurën e zëvendësimit të shtëpive të vjetra muslimane me ndërtime pa shije e betonizime bajate. Gjurmët e vakëfeve dhe bamirësive të zotnive muslimanë, thuajse nuk ekzistojnë më. Paaftësia e nëpunësve të shtetit, përzier me shpirtin e fshehur islamofob, si dhe tendencat flagrante të prezantimit të Shkodrës si qytet 100 vjeçar, e kanë bërë Shkodrën të mos njihet më”-thotë myftinia në deklaratën e saj. “U nxita të shkruaj jo thjeshtë nga abuzimi shtetëror me gjurmët e arkitekturës osmane e islame në Shkodër! As nga tendenca e hapët e investimeve të vrullshme në lagjet jomuslimane të Shkodrës dhe keqprezantimi i Shkodrës, sipas kapriçove egoiste të një individi a një grupi partiak të njohur në Shkodër! As nga shumë tendenca partiake të pas vitit 1990, për të zaptuar vakëfe e për t’ia legalizuar të afërmve! As shumë më shumë se kaq, por nga Xhamia e Plumbit! Nuk do merrem se ku jemi me marrëveshjen e TIKA-s, a se a besojmë ne si muslimanë se kemi një Ministri Kulture, as a kemi besim tek një kryeministër, a te disa kryeministra. Xhamia e Plumbit është e përmbytur më keq se kurrë dhe se, askush nuk është në gjendje të thotë se a do të zgjidhet ndonjëherë katrahura urbanistike e lagjes së Tabakut dhe Monumentit arkitekturor më të rëndësishëm të Shkodrës, Xhamisë së Plumbit? A do të ndërhyjë dikush që ajo lagje e vjetër shekullore të ketë vëmendjen e duhur të Bashkisë Shkodër, me investime serioze për hyrjen drejt kalasë? A do të lejojmë ne muslimanët, që pushtetet e pabesa dhe antikombëtare, të na e shkatërrojnë Xhaminë e Plumbit, siç kanë bërë deri më sot me Xhaminë e kalasë, por jo vetëm? Dhe, Lec Shllaku pohon me dinjitet se Xhamia e Plumbit: ‘Asht pa dyshim xhamia mbretneshë mbi të gjitha simotrat e veta në Shqipninë ballkanike’. E, pyetja që lind vetvetiu teksa sheh gjendjen e kësaj mbretneshe në skamje, është: A po na e mbysin dalëngadalë Mbretneshën, bijtë e çakejve?!”-përfundon deklarata e myftinisë.

Artikulli paraprakDHJETRA HEKTARË TOKË E MBJELLË ME KULTURËN E STINËS NËN UJË
Artikulli tjetërXHAMIA E PLUMBIT NËN UJË, PËRMBYTET KREJTËSISHT