Reshjet e shiut kanë pushuar prej ditësh por sërish zonat e NënShkodrës vijojnë që të jenë të përmbytura. Në total janë 1260 hektar tokë nën ujë, rreth 150 hektar më pak se një ditë më parë ndërsa nga ditë në ditë sipërfaqja totale e tokave të përmbytura po vjen duke u zvogëluar çka do të thotë se uji po tërhiqet. Ndërkohë edhe niveli i ujit në Dajç, liqenin e Shkodrës dhe lumin Drin është më i ulët ashtu siç lumi Kir ka prurje minimale, raporton bashkia Shkodër pas monitorimit periodik në terren. Njësia Ana e Malit dhe Dajç vazhdojnë që të jenë më problematiket sa i përket përmbytjes. Në Anën e Malit vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta.
Rruga e Obotit është e kalushme vetëm me mjete të larta. Niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 50cm. Ujesjellesi Oblika 1 si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit. Ndërmarrja e ujësjellësit ka furnizuar me uje te pijshëm banore të fshatit Oblikë ndërsa në Anën e Malit janë 750 hektar tokë të përmbytura. Shqetësuese mbetet situata edhe në njësinë Dajç me 400 hektar të përmbytura kryesisht në zonën e quajtur “Këneta e Dajçit” me fshatrat Dajç, Mushan, Shirq, Suka-Dajç, Pentar dhe Darragjat. Vazhdon të jetë i bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat. Në njësinë Guri i Zi vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë. Në njësinë Velipojë sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 40 Ha, kryesisht në fshatrat Ças, Reç, Baks i Ri dhe Luarz.
Në njësinë Bërdicë sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 50 Ha, kryesisht në fshatin Trush dhe Bërdicë e Madhe ndërsa vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme. Në njësinë Rrethina sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 10 Ha, në fshatin Zues. Nga dita në ditë situata e përmbytjeve në zonat e NënShkodrës po normalizohet dhe tashmë edhe me pushimin e reshjeve të shiut në këto ditë, pritet edhe një tërheqje më e madhe e ujit nga zonat e pëmbytura.