Përmbytje të mëdha në Turqi

Moti i ftohtë ka paralizuar jetën e njerëzve në Turqi sidomos të atyre që ndodhen në pjesën jugore të vendit, e cila është përballur veç reshjeve të rrëmbyera, edhe me përmbytje të mëdha. Dy persona humbën jetën në provincën e Mersinit nga një vërshim i beftë ujërash, pasojë e shiut të dendur në rajon. Shumë të tjerë kanë përjetuar momente tmerri kur kanë mbetur të bllokuar në automjetet e tyre. Nisur nga gjendja e krijuar, zyrtaret lokalë lëshuan një paralajmërim ku i kërkohej banorëve që brenda mundësive, të mos dilnin nga shtëpia përgjatë gjithë ditës. Ministri i Zhvillimit, Lutfi Elvan kërkoi mobilizimin e institucioneve të rajonit ku për shkak të motit ekstrem, u pezullua dhe mësimi. Pamjet dramatike të një babai që rrëmbehet nga uji bashkë me vajzën e tij ndërsa po tentonin të hidheshin në anën tjetër të rrugës, janë përhapur me shpejtësi në internet. Në kohën kur Mersinin e gjunjëzonin përmbytjet, rajonet qendrore e veriore të Anadollit janë bërë pre e stuhive të dëborës. Kushtet e këqija atmosferike janë bërë shkas dhe për aksidentin e rëndë të një autobusi në provincën veriore të Sinop-it ku humbën jetën 5 persona e u plagosën më shumë se 20 të tjerë.

Artikulli paraprakAKSIDENT I RËNDË ELEKTRIÇISTI GODITET NGA TENSIONI I LARTË
Artikulli tjetërSIRI, ARMËPUSHIM I QËNDRUESHËM, PAVARËSISHT PËRLESHJEVE