Ky është Nikolin Çukaj, një prej banorëve të përmbytur në Obot të Anës së Malit. Pemët dekorative por edhe të mbjella të tjera po shkojnë dëm edhe pse është vetëm dita e tretë e rikthimit të përmbytjeve në zonën e NënShkodrës. Harta e përmbytjes është zgjeruar në mbi 2600 hektarë. Nikolini tregon se dëmi i shkaktuar deri më tani është mbi 30 milion lekë të vjetër.
Djali i Nikolin Çukaj është 29 vjeç dhe është munduar të investojë në bujqësi por me përmbytjet që përsëriten çdo vit pa marrë asnjë dëmshpërblim, e vetmja rrugë i mbetet emigrimi.
Banorët e tjerë të Obotit shprehen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë ndërsa edhe ata kanë dëme të mëdha në toka.
Rruga e Obotit aktualisht ka 1.5 metër ujë dhe kalohet vetëm me mjetet e ushtrisë.
Në bashkinë Shkodër në total janë 130 banesa që kanë prezencë të lartë uji në oborre dhe tokat me të mbjella, 100 prej të cilave në Obot. Po ashtu rruga Darragjat-Shirq në njësinë Dajç është e pakalueshme ndërsa toka të përmbytura ka edhe në Bërdicë dhe Velipojë.