Situata në territorin e Bashkisë së Shkodrës pas inspektimeve në terren, në Njësitë Administrative të përmbytura sipërfaqja totale ka arritur mbi 1860 Ha.
Deri në këto momente, janë mbi 570 ha tokë e përmbytur në Njësinë Administrative të Dajçit : Fshati Mushan 230 ha, fshati Shirq 210 ha, fshati Darragjat 10 ha, fshati Suka-Dajç 40 ha, fshati Dajç 80ha.
Vetëm në lagjen Zadrimë, në fshatin Shirq janë të rrethuara nga uji 26 familje. Gjithashtu nga prurjet janë të izoluara edhe 4 shtëpi në fshatin Mushan. Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit afërsisht në 300 m gjatësi.
Ndërsa në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata vijon të jetë negative. Në Obot mund të kalohet vetëm me makina të larta ushtrie. Mbi 1000 ha tokë janë të përmbytura: Fshati Muriqan 400 ha, fshati Oblikë 400 ha, fshati Obot 200 ha.
Gjithashtu në njësinë ad. Ana e Malit Ujësjellsi Oblika1 si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit . Bashkia Shkodër me anë të dy mjeteve autobotë ka bërë dhe po bën furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm.
Bashkia Shkodër me mbështetjen e murgeshave të Dobraçit po bën furnizim me 300 bidona uji për banorët. Në njësinë administrative Bërdicë, është rritur sipërfaqja e përmbytur në mbi 220ha tokë të ndara sipas fshatrave si më poshtë: 1.Trush – 80 Ha 2.Bërdicë e sipërme 40 Ha 3.Bërdicë e Madhe 100 Ha
Në njësinë administrative Velipojë , në fshatin Luarz vazhdon të dalë ujë nga argjinatura dhe vlerësohet se rreziku është shumë i madh. Niveli I ujit është rritur shumë.
Gjithashtu në njësinë administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore. Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës në një vijë prej 1 km.
Në njësinë administrative Rrethina , në fshatin Zues janë të përmbytura 70 Ha tokë nga të cilat 10 Ha ndodhen poshtë fshatit Zues dhe 60 Ha tokë e këtij fshati në fushën e Oblikës. Specialistët tanë janë në terren, dhe po bëjnë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara, vlerë e cila ka tendencë të rritet me vazhdimin e mëtejshëm të gjendjes së përmbytjes.
Paraqiten nevoja ditore nga fermerët për bazë ushqimore
Gjithashtu duhet të merren masa për furnizim me klor për dizefektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit. Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.
Situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të pakontrolluara dhe të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë, si dhe nga keqmenaxhim i kaskadës së lumit Drin. Situata po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga ana e Bashkisë Shkodër.