Situata nga përmbytjet është përmirësuar në qarkun e Shkodrës. Në përditësimin e sjellë nga Bashkia, njoftohet se asnjë banesë nuk është nën ujë, nga 110 banesa që kishin prezencë uji 3 ditë më parë për shkak të shkarkimit të Vaut të Dejës.
Aktualisht sipërfaqja e tokës së përmbytur është 1020 hektarë, ka një rënie me 330 hektarë. Në njësinë administrative Ana e Malit është 1000 ha sipërfaqja e tokës e përmbytur, ndërsa 20 ha në Njësinë Administrative Dajç.
Ujësjellësi ‘Oblika 1’ vijon të mbetet jashtë funksionit, ndërsa rruga e Obotit është e kalueshme.
Rruga e Obotit ishte një ndër më problematiket në Shkodër pas përmbytjeve, e cila ishte e pakalueshme. Aktualisht kalohet me pak vështirësi nga mjetet e vogla, pasi ka pak prezencë uji 15 cm. Ndërkohë për kalimin e banorëve është në dispozicion një mjet i ushtrisë me katër forca.
Po ashtu edhe rruga Rruga Shirq-Darragjat nuk ka prezencë uji dhe tashmë është e kalueshme. Qarku i Shkodrës dhe ai i Lezhës kanë qenë dy qarqet më të prekura nga moti i keq.