Ndërsa po afron koha për afatin e mandatarit Nikolla Gruevski për formimin e qeverisë së Maqedonisë

, partia e tij VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se nuk pranon të bisedoj për gjuhën shqipe dhe as për vazhdimin e mandatit të Prokurorisë së Posaçme. Këto janë disa prej kërkesave të partive shqiptare, pa të cilat as VMRO-ja dhe as Lidhja Social Demokrate nuk mund ta formojnë kabinetin e ri qeveritar. VMRO-DPMNE përmes një komunikate e ka quajtur Prokurorinë e Posaçme “një vegël që po degradon sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë”. Në komunikatë më tej thuhet se “Pa marrë parasysh se cili do të jetë rezultati rreth formimit të qeverisë në periudhën që vjen, pa marrë parasysh se a do të formohet qeveri e re, dhe pa marrë parasysh se kush e formon, çfarë do që të ndodhë, koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” nuk do të negociojë, nuk do të lejojë ndryshimin e rendit kushtetues për dygjuhësinë në të gjithë territorin dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë së Posaçme”. Para publikimit të qëndrimit të VMRO-së, Bashkimi Demokratik për Integrim, që ka njoftuar se pranon të bisedojë me këtë parti maqedonase për koalicionin e ri qeveritar, theksonte se “përdorimi i gjuhës shqipe në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, të barabartë me gjuhën maqedonase, e bën shoqërinë më të fortë, më të bashkuar dhe më të qëndrueshme, duke përmbyllur në këtë mënyrë obligimet normative nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit”. BDI, po ashtu mbështet veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme për të përmbyllur në këtë mënyrë skandalin e përgjimeve dhe bartjen e përgjegjësisë për këtë, përmes zbardhjes së plotë dhe me transparencë të këtij skandali. Nga ana tjetër, Lidhja Social Demokrate nuk ka bërë komente këto ditë në lidhje me atë që partitë shqiptare e kanë quajtur platformë të tyre, e që paraqet një sërë kushtesh për pjesëmarrje në qeveri. Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët shprehen të vendosura se nuk do të hyjnë në një koalicion me VMRO-DPMNE-në. Njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë se do të jetë shumë vështirë të formohet një koalicion qeveritar, ndërsa edhe po të formohej midis VMRO-së dhe BDI-së, duke marrë eventualisht dy deputetët e PDSH-së, kjo do të ishte një shumicë jo e qëndrueshme, në pamundësi për të sjellë ligje dhe për të realizuar reforma të mirëfillta. Kërkesat e partive shqiptare, ndërkaq, kërkojnë ndryshime kushtetuese, të cilat nuk bëhen dot pa dy të tretat e votave në parlamentin prej 120 vendesh.

Artikulli paraprakTURQIA, E RREZIKUAR SI SHTET I NJË LIDERI
Artikulli tjetërNDALOHEN 4 SHQIPTARË NË GJERMANI, UDHËTONIN ME DOKUMENTE FALSE