Mungesa e gjuhës së mirëkuptimit mes 2 forcave politike në kualicionin qeverisës, PS dhe LSI ka bërë që të shtyhet mbledhja e konstituimit të Këshillit të ri të Bashkisë Pukë. Ceremonia ishte planifikuar të zhvillohej këtë të premte në orën 11:00, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe prefekti i Shkodres Paulin Radovani ka vendosur shtyrjen e kësaj mbledhje për të marten e javës së ardhshme.
Burime brenda 2 kampeve politike në Pukë bëjne me dije se mbledhja është shtyre pasi palët nuk kanë dakortësi për emrin që do të drejtojë Këshillin bashkiak, për sekretarin si dhe n/kryetarin e Bashkisë. Të njëjtat zëra na bëjnë me dije se në 14 korrik në mbledhjen e organizuar nga 2 liderët e mazhorances kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta, me deputetët e qarkut Shkoder është rënë dakort që në zonat ku ka fituar LSI si forcë e parë politike, kryetari Këshillit, sekretari dhe n/kryetari i bashkisë t’i përkasë kësaj force politike. Por kjo marrëveshje në qendër, nuk është pranuar nga baza socialiste në rrethin e Pukës, të cilët edhe kanë shprehur kundërshtinë e tyre për emrin që LSI ka propozuar për kryetar të Këshillit, që është Dr. Sajmira Laçi, kryetare e LSI Pukë. Ndërsa LSI është forcë e parë në Pukë me 1173 vota, PS ka dalë forcë e gjashtë me 287 vota dhe palët do të duhet të lobojnë tek kristiandemokratët e Mark Frrokut që janë të dytët, PDS e Paskal Milos e treta, demokristianët e Nard Ndokës etj.