Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Daniel Brahollari që përplasi për vdekje vjehrrë e nuse në zonën e ish-Kënetës.

Ndaj 22-vjeçarit u dha masa ‘arrest me burg’. Ndërsa i riu tha në gjykatë se nuk kishte qenë me shpejtësi kur ndodhi incidenti.

Ai tregoi se në rrugën nuk kishte drita e sinjalistikë, ndaj nuk i pa dy gratë Sabrie dhe Bukurie Cufaj kur po kalonin rrugën.

Brahollari: “Nuk kishte drita dhe sinjalistikë. Isha me 40 km dhe isha mbrapa një mjeti tjetër. Në një moment mjeti përpara është hapur nga e djathta, ndërsa dy persona kaluan me shpejtësi.

Mendova se mjeti më hapi krahun për të parakaluar. Kur papritur dolën dy gratë dhe nuk kisha kohë që të frenoja.”

Pasi dëgjoi dëshminë e 22 vjeçarit dhe akuzat e prokurorisë, gjyqtarja vendosi të lërë të riun në qeli me masë sigurie arrest me burg.

Aksidenti me dy viktima ngriti në protestë banorët e Ish-Kënetës për mungesën e sinjalistikës, por megjithëatë në rrugën që ka marrë 24 jetë në 10 vite nuk ka asnjë masë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës (12 janar) në rrugën ‘Vëllazërimi’ në Durrës. Dy gratë u përplasën sapo zbritën nga autobusi i linjës Durrës-Plepa.

Artikulli paraprakKOMISION HETIMOR PËR DSIK, BALLA: PS I KA GATI EMRAT E ANËTARËVE
Artikulli tjetërSPANJË, SHPËTOHEN 332 EMIGRANTË