Partia Demokratike ka reaguar pas debatit të ashpër në Lezhë mes ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe drejtorit të urbanistikës në Bashkinë Lezhë për sigurinë e një pallati 12 katësh.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi e cilëson sjelljen e ministrit Lleshaj të papërgjegjshme dhe kriminale. Sipas tij, Ministri e urdhëron drejtorin e urbanistikës të fshehë të vërtetën se banesat janë të rrezikshme për qytetarët.
Ai i kërkon prokurorisë të nisë hetimet për ministrin e Brendshëm për intimidimin e ekspertëve dhe tentativën e tij për t’u fshehur banorëve të vërtetën.
DEKLARATA E BARDHIT
Sjellja e Ministrit të Brendshëm është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe kriminale! Ajo është dëshmi e gjallë se qeverisemi nga njerëz të pashpirt, që duan të fshehin të vërtetën, duke rrezikuar jetën e qytetarëve!
Drejtori i Urbanistikës së Lezhës me profesion inxhinier, dëshmon se godina paraqet rrezikshmëri, por Ministri i Brendshëm e urdhëron të fshehë të vërtetën se banesat janë të rrezikshme për jetën e qytetarëve.
Këta qeveritarë të papërgjegjshëm, me shpirt të korruptuar janë të njëjtët individë që detyruan ekspertët të ndryshonin aktet e verifikimit për dy pallatet në Thumanë, t’i vlerësonin ato si të banueshme, duke u bërë përgjegjës për humbjen e jetës së 24 qytetarëve.
Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet ndaj Ministrit të Brendshëm për intimidimin e ekspertëve dhe tentativën e tij për t’u fshehur banorëve të vërtetën. Kjo sjellje është jo vetëm papërgjegjshmëri kriminale, por edhe shpërdorim i pastër i detyrës!