Deputeti i PD, Luan Baçi ka dalë në krah të deputetit Agron Shehaj dhe kundër demokratit Flamur Noka në lidhje me konfliktin fizik në foltoren e Kuvendit. Në seancën e fundit dy deputetët u përfshinë në një përplasje pasi Shehaj bllokoi për më shumë se një orë foltoren e Kuvendit. Në një intervistë televizive, Luan Baçi e vlerësoi kërkesën e Shehajt për interpelancë, duke e cilësuar atë si një veprim opozitar. Ai theksoi se në opozitë ka pasur gjithnjë elementë që kanë pasur mënyrat e tyre të të bërit opozitë, por këta të fundit nuk mund të “merren me zor” dhe “t’u imponohet axhenda” e PD.

“Shumë mirë bëri Shehaj që kërkoi interpelancë me Ballukun. Kjo ishte opozitë. Ai bën opozitë në mënyrën e tij. Ka opozitarë që kanë mënyrat e tyre dhe ne nuk mund të marrim me zor të imponojmë axhendën tonë opozitare,”- u shpreh Baçi.

Kujtojmë se deputeti Shehaj prej disa orësh protestoi në sallën e Kuvendit, ku mbajti të bllokuar foltoren duke mos lejuar të mbajnë fjalën as deputetët socialistë dhe as ata demokratë. Pavarësisht se ish-kolegët demokratë i kërkuan Shehajt që të largohej nga Foltorja, ai sërish nuk pranoi që ta lironte edhe pas masës së “përjashtimit nga seanca” e cila iu komunikua më herët nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spriopali. Madje ish-kolegët e akuzuan se është bërë “patericë” e mazhorancës.

Artikulli paraprakRAMA NË DARKËN ME AMBASADORËT PËR FESTAT E FUNDVITIT
Artikulli tjetërBASHA URON SHQIPTARËT PËR KRISHTLINDJE: ZOTI NA UDHËHEQTË DREJT SË NESËRMES MË TË MIRË