Për herë të parë në një reagim me zë dhe me figurë, kryeministri Edi Rama reagoi për përplasjen e policisë me banorët e banesës përballë shkollës “Petro Nini”.
Edhe pse legjitimoi pranën e policisë atje, Rama bie dakord me Ministrin e Brendshëm Lleshaj se sjellja e saj ishte aspak e padenjë.
Rama: Me ligj vendimet e gjykatës ekzekutohen nga përmbarimi dhe kur përmbarimi kërkon mbështetjen e policisë së shtetit, policia është e detyruar ta mbështesë në ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë.
Duke shkuar dje në mbështetje të përmbarimit, policia zbatoi ligjin dhe pikë. Por nga ana tjetër, ashtu siç u pa qartë dhe siç e analizoi Ministri i Brendshëm, edhe pse prania e policisë ishte kërkesë e ligjit, sjellja e saj nuk ishte as dinjitoze dhe as efikase.
Dukej që trupa ishte nisur pa asnjë përgatitje paraprake për një situatë sidoqoftë delikate, ku si përfundim u krijuan skena krejt të panevojshme me njerëz që shtriheshin në rrugë dhe uniformat blu që nuk dinin se çfarë të bënin por rrinin dhe lëviznin në ato skena si një trupë pa kokë që krijonte veç acarim.
Reagimi dinjitoz i Ministrit të Brendshëm që mbajti me të drejtë anën e opinionit të irrituar qytetar duke theksuar se policia nuk mjafton që të jetë në rregull me ligjin por duhet të jetë me mendje dhe zemër në lartësinë e syve të opinionit publik.
Ishte dinjitoz edhe reagimi i drejtorit të policisë që liroi nga detyrua drejtuesin e bluve të Tiranës duke përcjellë një mesazh të qartë se të jesh në rregull me ligjin kur shkon pas përmbarimit nuk mjafton për të qenë në rregull me opinionin publik.
Duhet diçka më tepër që dje mungoi.
Në rubrikën “Përgjigjia ime” në faqen e tij në facebook, shefi i qeverisë sqaroi me detaje çështjen, madje pranoi se është vënë në dijeni nga familjet e asaj banese për problematikën.
Por në konkluzion të gjithë kësaj, Rama tha se qeveria nuk mund të bëjë gjykatësin e vendimeve të gjykatës.
Rama: Jam informnuar në detaje lidhur me atë histori, që edhe për mua dje ishte irrituese. Unë jam kontaktuar nga banorët e asaj shtëpie kohë më parë dhe e kam marrë informacionin se ata janë në konflikt me një palë tjetër.
Pala tjetër e ka fituar me gjyq të drejtën e trashëgimisë së asaj banese, ndërsa të zotët aktualë të shtëpisë e kanë humbur me vendim gjykate të formës së prerë të drejtën për të vazhduar të qëndrojnë në atë banesë.
A është i drejtë vendimi i gjykatës? E kam thënë sa herë ka raste fatkeqësish që na pëlqejnë, nuk na pëlqejnë vendimet e gjykatave, nuk ka asnjë fuqi që i zhbën, aq më pak qeveria.
Ajo që qeveria mund të bëjë dhe kjo qeveri është e para që po e bën, është ta reformojnë sistemin e drejtësisë, ta çlirojë nga korrupsioni dhe ta bëjë të drejtë dhe të denjë.
Ky çlirim kërkon mund, durim, kohë. Ajo që kjo qeveri nuk mund të bëjë është të bëjë gjykatësin për vendimet e gjykatës. I drejtë apo i padrejtë vendimi për t’ua kthyer shtëpinë pronarëve të vjetër, këtë as nuk e dimë dhe as e vëmë dot në diskutim.
Rama sqaroi edhe rolin e IKMT-së në këtë histori.
Rama: Thagma se IKMT ka vajtur tu prishë shtëpinë për llogari të një ndërtuesi që do bëjë pallat.. jo vetëm IKMT nuk ishte gjëkundi dhe as leje për pallat nuk është dhënë aty, por nuk ka ende as një plan të miratuar të zonës nga Bashkia.
Bashkia i ka ofruar banesë sociale familjes që ka humbur gjyqin, e cila ka ndërtuar dhe një shtesë pa leje dhe kërkon legalizim në banesën që me vendim gjykate i takon dikujt tjetër.