Denigron situata para parlamentit të Shqipërisë. Deputetët e opozitës kanë sulmuar fizikisht gardhin e sigurisë së Gardës dhe Policisë, e cila erdhi me përforcime për të mbrojtur Kuvendin.
Edhe pse me skafandra dhe mburoja, deputetët e PD sulmuan dhunshëm efektivët, duke kërkuar pse ishte prezente Policia, pasi sipas ligjit duhet të jetë vetëm Garda në oborrin e institucionit.
Deputetët më aktivë në tensione dhe sulme kanë qenë Dashnor Sula dhe Gazment Bardhi, të shoqëruar nga Flamur Noka dhe Bledjon Nallbati.
Sula u pa i pari teksa kapte mburojat e policëve dhe skafandrat për t’i hequr dhe larguar, teksa pati edhe dëmtime. Bardhi e ka ndihmuar më tej, duke kërkuar largimin e Policisë nga territori i parlamentit.
“Çfarë do Policia këtu. Largohuni. Turp, turp. Ikni, mbajeni mend! Largohuni prej këtu, s’keni punë në Kuvend. narkobandë në shërbim të qeverisë, ky është fundi”, ishte akuza e deputetëve të opozitës.
Pas këtyre tensioneve të ashpra, kreu i Gardës ka kërkuar largimin e grupit të policëve me skafandra që mbështesnin Gardën në oborrin e Parlamentit.