Vija e Vrakës është kthyer në një vend depozitimi për mbeturinat. Një situatë e tillë vijon të jetë shqetësuese prej kohësh. Vija e Vrakës është zonë neutrale e cila ndan Malësinë e Madhe me Shkodrën. Në të gjithë gjatësinë e saj është e mbushur me mbeturina duke u shndërruar në një vatër të rrezikshme ndotjeje për banorët e zonës.
Banorët thonë se institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa për të ndërhyrë në pastrimin e përroit.
Përveç ndërhyrjes së institucioneve, nevojitet edhe ndërgjegjësimi i banorëve pasi janë vetë ata të cilët hedhin mbeturinat dhe mbetjet inerte në përroin e Vrakës, ndërsa banorët tregojnë se ka raste kur vijnë edhe nga zonat e tjera dhe depozitojnë mbetjet në afërsi të urës.