Është përshkallëzuar situata në veri të Kosovës. Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok është djegur nga serbët të cilët nuk po e pranojnë ligjin për targat. Serbët kanë hedhur granata dore edhe në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, por që nuk kanë arritur ta djegin. Policia ka mbërritur në vendngjarje, teksa raportohet për tensionim të situatës. Lidhur më këtë situatë kanë reaguar edhe të dyja palët. Përmes një statusi në facebook kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka regauar në lidhje me këtë situatë ku shkruan.
’Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar.
Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës’ shkruan Kurti.
Edhe ministri i brendshëm i Serbisë, Aleksander Vulin ka reaguar mbi situatën e krijuar në veri të Kosovës për shkak të vendosjes së reciprocitetit të targave. Vulin ka fyer kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, duke e quajtur “budalla”. Sipas tij për të ndezur luftën duhet vetëm një budalla dhe ai person gjendet në Prishtinë, duke iu referuar kryeministrit, Albin Kurti.
“Nevojiten të paktën dy persona për ta bërë paqen, ndërkaq për luftën mjafton vetëm një budalla, dhe jam i frikësuar se atë budalla e kemi në anën tjetër, ai ndodhet në Prishtinë dhe emri i tij është Albin Kurti”, ka thënë Vulini shkruan. Ai ka thënë se Serbia ka arsye për të qenë e shqetësuar.
“Njerëzit që udhëheqin në Prishtinë janë qyqarë të vërtetë, dhe mund të presësh çdo gjë prej tyre”, është shprehur Vulin. Sipas tij, tani duhet të negociohet dhe se Prishtina është ajo që duhet ta bëjë hapin e radhës, shkruan Vulin.