Ekonomia e Shqipërisë është rritur dy vitet e fundit mbi mesataren e 10 viteve të fundit, por rishpërndarja e vlerës së shtuar po bëhet gjithnjë e më e pabarabartë.

Përgjatë 2021 dhe 2022, ekonomia e vendit është zgjeruar 13,2 për qind, nga të cilat 8,5 më 2021 dhe 4.8 në vitin 2022, por në krahun tjetër numri i ta papunëve të regjistruar për ndihmë ekonomike është rritur në Zyrat e Punës.

Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e fundit të 2022 numri i punëkërkuesve të papune të regjistruar për ndihmë ekonomike arriti në 26 mijë persona, nga 20,656 që ishin në të njëjtën periudhe të vitit 2021, më një rritje 25%.

Numri i punëkërkuesve të papunë ishte në rënie sistematike përveç vitit 2020 ku për shkak të kufizimeve në lëvizje shumë persona humbën punën dhe numri i kërkesave për ndihme ekonomike u rrit në rreth 29 mijë persona. Përjashtuar vitin pandemik numri i personave të papunë që kërkuan ndihmë ekonomikë në tetor-dhjetor 2022 arriti nivelin më të lartë që nga 3-mujori i fundit të vitit 2017 sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.

Pavarësisht se, ekonomia shqiptare po shfaq dinamikë të lartë në tregun e punës, sërish punësimi nuk është i shpërndarë në mënyrë të drejtë në të gjithë vendin dhe në grup-mosha të ndryshme. Të dhënat nga burimet administrative tregojnë se papunësia po prek familje me nivel të ulët të ardhurash që kanë nevojë për mbështetje financiare.

Pandemia dhe më pas lufta në Ukraine kanë vështirësuar edhe me tej segmentin më të varfër të shoqërisë, teksa fenomeni është përkeqësuar më tej gjatë vitit 2022.

Ushqimi përbën 70 për qind të konsumit të përgjithshëm për 25 përqindëshin me të ardhura më të ulëta të popullsisë. Gjithashtu ky grup familjesh u ekspozua edhe ndaj rritjes së çmimeve të qirave dhe tarifave të shërbimeve.

Varfëria mbetet një realitet i dhimbshëm për një pjesë të konsiderueshme të Shqipërisë dhe goditjet e fundit kanë rritur me tej fenomenin referoi Banka Botërore në marrëveshjen e re katër vjeçare me Shqipërinë.

Shumica e vendeve të punës në dispozicion ofrojnë paga të ulëta dhe mundësi të kufizuara për zhvillim profesional. Punët e mira janë të pakta dhe mbeten të paarritshme për shumë të diplomuar në shkolla, të cilëve u mungojnë aftësitë dhe njohuritë përkatëse.

Pabarazia është rritur, veçanërisht në zonat rurale dhe grupet e varfra. Migrimi ekonomik është i lartë sidomos në zonat rurale. Nga ana tjetër sistemi shqiptar i mbrojtjes sociale është i kufizuar në aftësinë e tij për të zbutur varfërinë.

Pandemia vuri në dukje ekspozimin e shtresës së varfër ndaj goditjeve dhe nga ana tjetër dolën në pah mangësitë në sistemet e mbrojtjes sociale ku zërat për asistencën sociale dhe papunësinë janë të ulëta./Monitor/

Artikulli paraprakKJO DITË ËSHTË E BUKUR DHE OFRON SURPRIZA, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT
Artikulli tjetërTAKSA E NDIKIMIT NË INFRASTRUKTURË SJELL 32% TË TË ARDHURAVE TË PUSHTETIT VENDOR