Përvjetori i 15 i sulmeve të 11 shtatorit, Clinton do të vizitojë “Ground Zero” Drejtuesit e fushatës së Hillary Clintonit bënë të ditur këtë të premte se, kandidatja demokrate për presidente planifikon të vizitojë “Ground Zero”, për të shënuar 15-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Clinton do të mbërrijë në memorialin kushtuar viktimave mëngjesin e së dielës, përpara momentit të përvitshëm të heshtjes në orën 8:46 me orën lokale, që përkon edhe me orarin e përplasjes së avionit të parë me kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Lajmi konfirmohet nga zëdhënësja e saj, Julie Ëood, teksa ka folur për “Associated Press”. Clinton, e cila ka qenë senatore e Nju Jorkut kur ndodhën sulmet terroriste të vitit 2001, nuk e kishte bërë të ditur në të kaluarën nëse do të vizitonte memorialin për nderimet e përvitshme. Por, ishin drejtues të fushatës së saj presidenciale, të cilët kanë njoftuar zyrtarët e Memorialit dhe Muzeut Kombëtar kushtuar 11 Shtatorit, mbrëmjen e vonë të së enjtes, duke u thënë se ajo do të kishte dëshirë të merrte pjesë në ngjarjet përkujtuese. Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit nuk pritet të bëjë ndonjë deklaratë publike. Ndërkohë, rivali i saj republikan, manjati njujorkez Donald Trump, nuk pritet të marrë pjesë, të paktën nuk është caktuar diçka e tillë deri më tani. Ndërkaq, drejtuesit e të dyja fushatave konfirmuan se kanë ndërmend të ndërpresin fushatat publicitare televizive në përvjetorin e 11 shtatorit, duke ruajtur kështu traditën e shmangies së politikave të njëanshme presidenciale mbi atë ngjarje të rëndë të 15 viteve më parë. Një zëdhënës i Memorialit të 11 Shtatorit tha për “Associated Press” të enjten se Muzeu nuk kishte marrë ende asnjë njoftim se ndonjëri prej kandidatëve apo të dy bashkë, planifikonin të merrnin pjesë në ceremoni, por tha se një ndryshim i minutës së fundit do të ishte mëse i mirëpritur. Në vitin 2008, Barack Obama dhe John McCain lanë mënjanë dallimet e tyre politike për t’u shfaqur së bashku në vendin e Memorialit, në Nju Jork. Trump dhe Clinton janë të parët njujorkezë që bëhen kandidatë të partive të tyre për president, që prej humbjes së afro 3.000 jetëve gjatë sulmeve të 11 shtatorit.

Artikulli paraprakKRYESIA E LSI,META:TE ZGJIDHEN TE GJITHA CESHTJET E MATURANTEVE
Artikulli tjetërRAPORTI I UEFA-S,SKENDERBEU MANIPULOI MBI 50 NDESHJE,41 NE SHQIPERI