Edhe përvjetori i pestë i gjeti familjet e viktimave të 21 Janarit, apo të plagosurit gjatë demonstratës së përgjakshme, pa drejtësi.
Institucionet që duhet të jepnin drejtësi, duke filluar nga policia, prokuroria dhe në fund gjykata, kanë shpërfillur çdo provë për këtë çështje. Policia ka bërë referime “në ajër”, prokuroria nuk është thelluar në këto procedime, ndërsa gjykata e “harron” këtë proces. Gjatë vitit të fundit, policia është angazhuar të gjejë ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit që kanë torturuar demonstruesit gjatë dhe pas protestës. Pati shumë ankesa në atë kohë, ndërsa mësohet se asnjë efektiv, apo ish-efektiv, nuk është vënë para përgjegjësisë ligjore. Nga ana tjetër, prokuroria mund të rivendoste nderin e familjarëve të viktimave, apo të të plagosurve, duke ngritur akuzë për dy nga ish-drejtuesit madhorë të Policisë së Shtetit. Akuza hetoi drejtorin dhe nëndrejtorin e atëhershëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgajn dhe Agron Kuliçajn. Ata u kallëzuan se kishin penguar vetë prokurorinë për këtë çështje, duke mos e lejuar që të hetonte apo ndalonte zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. Por, në muajin qershor të vitit të kaluar, akuza mori vendim se veprimet e tyre nuk kishin pasoja… Gjithsesi, mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë duket te çështja e 21 Janarit që ndodhet në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit mban në sirtar që prej 28 tetorit të vitit 2013 dosjen penale ndaj Ndrea Prendit, Agim Llupos dhe Margarit Kumes, të vetmit që u akuzuan zyrtarisht për demonstratën e përgjakshme. Pra, këto ngjarje nuk kanë shkuar në Gjykatën e Tiranës dhe drejtuesit e akuzës qendrore mund të mblidhnin prova. Por, kur kanë kaluar më shumë se tre vjet nga emërimi i Llallës, mësohet se nuk është gjetur asnjë element i ri që mund të hidhte dritë mbi këtë vrasje, që ndodhi në mes të Tiranës.