Kanë përfunduar garën e tyre në Botërorin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Pataja të Tajlandës, dy shtangistët e peshës 81 kilogramë, Erkand Qerimaj e Daniel Godelli, të cilët garonin në baterinë B dhe jo në atë të pretendentëve.
Paraqitja e tyre ka qenë larg pritshmërive dhe shumë poshtë peshës që të dy kishin deklaruar në dygarësh, me Qerimajn që pretendonte të çonte 350 kilogramë në total dhe Godelli që pretendonte 360 kilogramë.
Erkand Qerimaj hipi i pari nga shqiptarët në pedanë dhe dështoi të çonte peshën 151 kilogramë në tentativën e parë, por u rikthye menjëherë dhe realizoi provën me sukses. Më pas vendosi të tërhiqet nga prova e tretë, duke u fokusuar te shtytja.
Më e mirë prova për Godellin, i cili e nisi me 155 kilogramë dhe e realizoi me sukses, por dështoi në dy tentativat e tjera, atë me 160 kilogramë dhe 163 kg, e cila nëse realizohej, do t’i jepte kryesimin në këtë peshë në pritje të baterisë A, ku garojnë pretendentët.
Në shtytje Qerimaj realizon provën e parë me 181 kilogramë dhe tërhiqet nga gara, duke e mbyllur me 332 kg në dygarësh, shumë larg rezultatit që kishte deklaruar.
Ndërkohë Godelli ngre pa vështirësi 185 kilogramë dhe tenton më pas të çojë 190 kilogramë, por dështon në provën e dytë dhe heq dorë nga prova e tretë, duke e mbyllur garën me 340 kilogramë në dygarësh, 20 kilogramë më pak sesa rezultati që kishte deklaruar.
Një botëror jo i mirë ky për Qerimajn e Godellin, por gjithsesi është e rëndësishme që arritën të klasifikoheshin në dygarësh. Ndërkohë, medaljen e vetme për Shqipërinë deri më tani, e ka arritur Briken Calja, i cili me 156 kilogramë të ngritura shkëputje në kategorinë e peshës trupore 73 kilogramë, siguroi bronzin në këtë botëror.