Peshëngritësi shkodran Antonino Mullisi është shpallur nënkampion i Europës. Ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë në garat e kampionatit Europian U-15 që po zhvillohet në Selanik të Greqisë, ku ka konkurruar në peshën 73-kg. Sportisti i Vllaznisë ka arritur të ngrejë 111-kg në stilin e shkëputjes, duke u renditur i dyti në të. Ndërkohë që, në stilin e shtytjes ka arritur të ngrejë 137-kg, ku është renditur i treti. Me 248-kg në dy garësh, Antonino Mullisi është renditur i dyti, vetëm 2-kg larg një peshëngritësi nga Azerbajxhani. Kështu, peshëngritësi shkodran ka merituar medaljen e argjendtë, duke u shpallur në këtë mënyrë nënkampion Europe.

Megjithatë, jo vetëm kaq, pasi me një paraqitje të tillë, Mullisi ka arritur njëkohësisht të thyejë edhe tetë rekorde kombëtare të kësaj moshe dhe madje, në dygarësh ka arritur një sukses historik, duke ngritur plot 60-kg më shumë se rekordi i mëparshëm. Megjithatë, shkodrani ka mbetur disi i zhgënjyer që e ka humbur vendin e parë vetëm për 2-kg, teksa si rrjedhojë është renditur i dyti në kontinent. Në këtë mënyrë, Antonino Mullisi i dhuron Shqipërisë tre medalje, dy argjendi dhe një bronzi, si edhe titullin nën/kampion Europe. Antonio Mullisi është një peshëngritës që premton shumë për të ardhmen dhe me siguri që ky është vetëm fillimi i një karriere shumë të suksesshme.

https://youtu.be/kQfARNRlIvs

Artikulli paraprakMBRËMJE KOREOGRAFIKE NË LEZHË
Artikulli tjetërVLLAZNIA NISET DREJT BOSNJËS