Pavarësisht avarive me rrotat dhe motorët, një avion i linjës kanadeze në Spanjë ka arritur të ulet në pistë pa pasoja për pasagjerët.
Mjeti u detyrua të fluturojë në qiejt e kryeqytetit spanjoll për pesë orë me radhë për të konsumuar karburantin dhe për ta bërë uljen më të lehtë.
Pasagjerët e një avioni të linjës “Air-Canada” i kanë dhënë fund aventurës së rrezikshme pas avarive të papritura në mjetin e tyre fluturues.
Avioni tip Boeing 767-300ER zbriti të martën mbrëma në Madrid, pa probleme për 128 pasagjerët në bordin e vet.
Në orën 14:30 mjeti ishte nisur nga aeroporti spanjoll i “Adolfo Suarez” drejt Torontos në Kanada, kur shpërtheu një nga 10 gomat e tij, dhe pak minuta më vonë u raportua edhe avari me motorët.
“Pati një zhurmë të fortë dhe të gjithë u shqetësuam. Për një kohë të gjatë fluturuam në lartësi të ulët ndërsa 30 minuta më vonë piloti na njoftoi për t’u ulur më lehtë duhej të konsumonim një pjesë të karburantit, pasi avioni ishte rënduar. Dhe kështu, fluturuam në qiejt e Madridit për 5 orë me radhë,” njoftoi një çift pasagjerësh kanadezë.
Ulja e sigurt e mjetit dhe ekspertiza e pilotëve u përgëzua nga ministri spanjoll i transportit dhe autoritetet aeroportuale.
Vetë pasagjerët informuan se situata në bord ishte e qetë gjatë gjithë fluturimit dhe se kompania ajrore kanadeze u ka siguruar atyre hotelet dhe bileta të reja drejt Kanadasë.