Ndërron jetë në moshën 69-vjeçare Luan Hajdaraga. Ish-ministri i Mbrojtjes në vitet 1998-2000 pas një beteje me sëmundjen nuk ka arritur t’ia dalë. Ai u shua sot paradite në QSUT, ndërsa lajmi konfirmohet nga familjarët.
Pak kohë më parë, në muajin mars, ai pësoi një goditje në tru teksa po udhëtonte me makinë nga Maqedonia në Shqipëri. Ishemia cerebrale e paralizoi, ndërsa u dërgua për mjekim në Turqi.
Qeveria miratoi një vendim për akordimin e fondit prej 1.9 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve mjekësore.
Pas mjekimit ai u rikthye në Shqipëri, ndërsa po kurohej, por me gjithë trajtimet, ndërroi jetë paraditen e sotme në urgjencën e QSUT-së. Luan Hajdaraga ishte një figurë e njohur e politikës shqiptare.
Ai përpos postit të ish-ministrit të Mbrojtjes në një moment delikat në historinë e vendit, ka qenë edhe ish-deputet dhe nënkryetar i Partisë Socialiste për shumë vite.