Kryeministrja britanike Theresa May njoftoi gjatë vizitës së saj në SHBA se presidenti Donald Trump kishte pranuar ftesën për të vizituar Londrën
, por nga ai moment e deri më tani, duke pasur parasysh edhe urdhrin ekzekutiv të kreut të Shtëpisë së Bardhë për ndalimin e refugjatëve dhe emigrantëve nga 7 vende me shumicë myslimane, “Downing Street” është përballur me thirrje për ta anuluar vizitën të konsideruar si një “gjest populist”. Edhe pse qeveria britanike ka refuzuar ta bëjë diçka të tillë, një peticion që kërkon ndalimin e vizitës së presidentit Trump në Britaninë e Madhe ka mbledhur mbi një milion firma. Numri i të nënshkruarve është rritur së tepër veçanërisht pas irritimit global, veç protestave në Amerikë, për shkak të veprimeve të fundit të Trumpit, që hynë në fuqi prej fundjavës. Laburisti Jeremy Corbyn, nga ana tjetër, i kërkoi kryeministres që të shtyjë vizitën. Graham Guest, një avokat nga Leeds dhe nismëtar i peticionit, tha se dëshironte që kjo nismë ta vinte në qendër të vëmendjes Trumpin. Të dielën, ai i tha agjencisë së lajmeve “Press Association” se “vizita shtetërore do të legjitimonte presidencën e tij, ndërsa teksa do të shfrytëzonte mundësinë për të bërë foto dhe për t’u shfaqur në krah të Mbretëreshës, ai do të synonte të rizgjidhej”. Të premten, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ndalonte programin amerikan të refugjatëve për 120 ditë, ndërsa ndaloi pa afat hyrjen e të gjithë refugjatëve sirianë, ndërsa pezulloi hyrjen e të gjithë shtetasve nga 7 shtete me shumicë myslimane. Përpjekjet për ta implementuar këtë masë shkaktuan irritim dhe protesta anembanë botës. Të shtunën pasdite, peticioni kishte vetëm 60 firma, por arriti menjëherë në 100 mijë të tilla, aq sa është e nevojshme për t’u marrë në konsideratë për një debat në Parlament, vetëm pak pas mesditës së të dielës. Për këtë arsye, parlamentarët britanikë do të debatojnë mbi të ditën e martë. Protesta në kundërpërgjigje të urdhrit ekzekutiv të Trumpit priten të zhvillohen pasditen e kësaj të hëne në Londër, Manchester, Bristol, Brighton, Liverpool, Glasgow, Edinburgh, Cardiff dhe Swansea. Megjithatë, për momentin “Buckingham Palace” refuzon të komentojë mbi këtë problematikë. Burime nga “Downing Street” thanë për BBC se ftesa ishte “bërë dhe pranuar”, ndërkohë që tërheqja e saj “do të zhbënte gjithçka” pas vizitës së kryeministres May në SHBA. “Amerika është një aleat i madh dhe i rëndësishëm. Duhet të mendojmë duke pasur një shikim largpamës”, shtoi burimi në fjalë. Gjithsesi, ende nuk është përcaktuar data për vizitën shtetërore të Trumpit në Britani.