Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Emanuel Macron për pezullimin e regjimit të vizave për Kosovën, në rast se kjo e fundit nuk pranon planin frako-gjerman. Sipas Bashës, penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog. Sipas tij, Europa nuk mund të vazhdojë të sillet sikur s’ka ndodhur asgjë më 24 shtator, dhe të mbyllë sytë përballë përgjegjësisë së Serbisë.
“Penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog e as për ti dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë.
Europa nuk mund të vazhdojë të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur me 24 shtator dhe as të mbyllë sytë përballë përgjegjësisë së Serbisë, presidenti i të cilës sfidon hapur, duke refuzuar sanksionet ndaj Rusisë dhe duke u shfaqur në krah të Vladimir Putin. Skenarët për destabilizimin e gjithë rajonit janë para syve të çdokujt, ndaj është i domosdoshëmi angazhim maksimal Euro-Atlantik në dialogun Kosovë-Serbi, për zbatimin e planit Franko-Gjerman dhe përmbylljen me një marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke. Si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Europë tani është koha që 4 vendet e mbetura të NATO-s ti hapin rrugë anëtarësimit të Kosovës në Aleancë duke nisur me përfshirjen në Partneritetin për Paqe”, u shpreh Basha.