Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako
, për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit. Po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit ‘Arrest në shtëpi” me mbikqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion Drejtor i Forcave Operacionale (F.O) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë F.O, të dy të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi. Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, ka nisur hetimin kryesisht, në bazë të një materiali procedurial, sipas të cilit, Policia e Shtetit ka në dispozicion një pajisje përgjimi, “IMSI Catcher”. Sipas informacionit, kjo pajisje ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa autorizimin përkatës dhe mund të realizojë interceptime telefonike. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatët fundore që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”. I dyshuari Çako, ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.