Pezullohet nga detyra efektivja e policisë që banon tek banesa pranë shkollës “Petro Nini”.
Drejtuesit e policisë së Tiranë, i kanë komunikuar sot gojarisht urdhrin e pezullimit me motivacionin se ka penguar punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës.
Blerta Dervishi ishte punonjëse e policisë pranë Repartit “Shqiponja” në Policinë e Tiranës. Ajo banon bashkë me 14 persona të tjerë në ndërtesën tek ‘Petro Nini’, ndërsa ditën e djeshme Përmbarimi shkoi pranë tyre për t’i nxjerrë jashtë, pasi tokës ku është ndërtuar banesa i ka dalë pronari.
Thuhet se ka vendim gjykate të formës së prerë, të cilin përmbaruesit shkuan ta ekzekutojnë një ditë pasi njoftuan familjarët të lirojnë banesën.
Blerta Dervishi dhe banorët e tjerë nuk pranuan të dalin nga banesa duke shkaktuar përplasje të forta me përmbaruesit. Skena të dhunshme që u bënë në sy të fëmijëve.
Përmbarimi tentoi të hapë me dhunë derën e jashtme të banesës ndërsa pas saj gjendeshin familjarët duke mos e lejuar këtë veprim.
Blerta Dervishi u filmua edhe një moment nga kamerat teksa i hoqi nga dora njërit prej banorëve, një sëpatë që mbante në dorë pas portës së hekurit.
Ka shmangur në çdo moment përshkallëzimin e situatës në dhunë, por shpërblimi që mori ishte pezullimi nga detyra.
Dje me urdhër të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, u lirua nga detyra edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderi ndërsa vendin e tij e mori përkohësisht zv.drejtori Dhimitraq Ziu. Ministri kritikoi efektivët për punë jo efikase.
Nuk ishte aspak një ditë e zakonshme për Blerta Dervishin, ish-sportisten që tashmë u pezullua nga reparti i Shqiponjave. Ajo dje nuk ishte krah kolegëve por përballë tyre, teksa mbronte me forcë shtëpinë e saj që rrezikon t’i shembet.
Blerta Dervishi qëndroi për gjashtë orë krah familjarëve të saj, duke hasur në kundërshtinë e forcave policore të cilat ishin të vendosura aty për të ruajtur rendin dhe sigurinë.
Më herët ajo i ka shkruar personalisht kryeministrit Edi Rama për t’i kërkuar zgjidhje për situatën, por ka marrë si përgjigje po të njëjtin qëndrim të shprehur dje nga kreu i ekzekutivit, që kjo nuk është përgjegjësi i tij, por e gjykatave.