Uzina e kabllove në Shkodër pas 52 vitesh jetë është pezulluar sepse firma turke që e ka me konçension nuk plotëson kushtet më minimale ndërsa ka rreth 4-5 muaj që nuk paguan punonjësit.

Rreth 40 punonjës kanë mbetur në mes të katër rrugëve sepse Inspektoriati Shtetëror i Punës ka pezulluar përkohësisht akvititetin për firmën turke. Ky vendim ka ardhur pas 3 gjobash në shuma të majme që Alcable ose uzina e kabllove në Shkodër ka marrë teksa e fundit është 13 milion lekë të vjetër. Burime bëjnë me dije se janë edhe gjoba të mëparshme në miliona lekë që nuk janë paguar ndërsa përflitet edhe për borxhe ndaj bizneseve të ndryshme. Këto janë disa prej pamjeve të brendshme të kësaj uzine e cila ka degraduar pothuajse plotësisht duke qenë një gërmadhë dhe jo një uzinë që prodhon kabllo elektrik. Që ka viti 2005 kur nisi puna nën pronarët e rinj turk, disa herë punonjësit e uzinës së kabllove kanë dalë në protesta. Një pjesë janë larguar nga puna ndërsa të tjerët janë kërcënuar me pushim nga puna. Ditët e fundit mësohet se disa prej tyre kanë bërë një grevë urie. Njëkohësisht shumë denoncime kanë mbërritur tek Inspektoriati i Punës duke vënë në lëvizje edhe këtë institucion i cili pas 3 gjobash me radhë ka vendosur pezullimin e aktivitetit. Që në fillim, në vitin 2003 historia e uzinës së kabllove nuk nisi shumë mirë sepse kur u dha me konçesion për firmën turke Yilmaz Kablo, në qeverinë e Fatos Nanos pati përplasje mes ministrave Anastas Angjeli dhe Viktor Doda sepse ky i fundit kërkoi që ta merrte një firmë tjetër më shumë pikë. Pavarësisht kësaj marrëveshja me firmën turke u firmos dhe brenda 5 viteve dy vëllezërit që kishin dështuar në Turqi dhe u zhvendosën në Shkodër, duhej të investonin 10 milion dollar në uzinën e kabllove për ta transformuar totalisht me godina, pajisje dhe teknologji të re dhe bashkohore. Jo vetëm se nuk u investuan 10 milion dollar por uzina u la të degradohej ndërsa punonjësit gjithë këto vite kanë patur probleme me pagesat. Uzina e Kabllove Shkodër është ndërtuar në vitin 1965, për prodhimin kryesisht të telave të kabllove prej bakri dhe alumini. Pas vitit 1989, prodhimi i saj ka ardhur duke rënë Duke parë këtë situatë u dha me konçension në vitin 2004 për 30 vite por rezultoi një dështim total. Janë 95 ha tokë, 12 reparte e 5 magazina të cilat po dalin jashtë funksionit.

Artikulli paraprakOSHEE, 42 TË ARRESTUAR BRENDA DY JAVËVE
Artikulli tjetërEKSPOZITA E FOTOGRAFISË “REFLEKTOJMË NATYRËN”