Ilir Meta, Presidenti i ri i zgjedhur, nuk do të jetë më kryetar i LSI por është i bindur se kjo forcë politike do të rritet në elektorat.

Meta tha se teserën e LSI do ta dorëzojë një ditë përpara se të marrë detyrën e re, duke lënë të kuptohet se mund ta drejtojë këtë forcë politike në fushatë për zgjedhjet e 18 qershorit. Ndërkohë bashkëshortja e tij, njëherësh edhe deputete e LSI, Monika Kryemadhi, edhe pse do të donte një President tjetër, i uroi të ketë mençuri dhe kthjelltësinë e duhur për të kryer si duhet këtë detyrë. Pas zgjedhjes së Ilir Metës President, LSI do të humbë dhe kryetarin e saj 13 vjeçar. Por kjo për Metën nuk do ta rrudhë këtë forcë politike. Presidenti i ri është i bindur se falë energjisë së të rinjve të kësaj force, LSI do të rritet.

Meta: Absolutisht unë besoj se Lëvizja Socialiste për Integrim do të fuqizohet dhe do të rritet, sepse ka mjaft drejtues dhe drejtuese të aftë dhe të jashtëzakonshëm. Jo vetëm të LSI-së, por mbi të gjitha të fuqisë më të madhe që ka LSI-ja, Lëvizja Rinore për Integrim.

Meta nuk e ka menduar akoma se kush do të jetë në krye të kësaj force apo se kush do të jetë në krye të Kuvendit, por teserën e partisë që Kushtetuta ia ndalon ta mbajë, do ta dorëzojë 1 ditë përpara se të marrë detyrën e re.

Meta: Në 24 korrik do të duhet të bëj betimin si Presidenti i ardhshëm i vendit për pesë vitet në vijim dhe në 23 korrik do të dorëzoj dokumentin e Lëvizjes Socialiste për Integrim te Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, ose Zëvendëskryetari i LSI-së, dhe do t’u them që të ma ruajnë mirë atë dokument.

I pyetur nëse ka marrë një urim nga ish-kryeministri, Meta tha se zoti Berisha është pika e tij e dobët dhe se shpreson nga maturia e tij për të kaluar këtë krizë politike.

Meta: Ju e dini që është dobësia ime, por unë shpresoj shumë tek eksperienca e tij dhe e shumë politikanëve të tjerë në Partinë Demokratike që të kontribuojnë për përmirësimin e kësaj situate, sepse gjithë qytetarët shqiptarë, socialistë, demokratë, të majtë, të djathtë, pa parti dëshirojnë një vend edhe më demokratik, edhe më të sigurt, edhe më të mirë për familjet e tyre. Kështu që unë do doja shumë të besoja tek eksperienca e tij edhe e shumë politikanëve të tjerë në Partinë Demokratike, padyshim pa përjashtuar edhe vetë Kryetarin, z. Basha.

Artikulli paraprak“VLLAZNIA “KAMPIONE E SHQIPERISE NE VOLEJBOLL PER MESHKUJ
Artikulli tjetërQEVERIA VENDOS: DEMARKACIONI PROCEDOHET NË KUVEND JAVËN E ARDHSHME