Një shtetas mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e 9 qershorit në Shkodër. Ngjarja ndodhi në lagjen “Mark Lula” rreth orës 22:30 teksa u plagos shtetasi Ndue Preka, 30 vjeç. Menjëherë pas plagosjes 30 vjeçari është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pasi mori ndihmën mjekësore shtetasi Ndue Preka u shoqërua në komisariat për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje bën të ditur policia vendore e Shkodrës në njoftimin e saj. Efektivët e cilësojnë si një dëmtim të lehtë në këmbë plagosjen me armë zjarri pistoletë të Ndue Prekës i cili është plagosur në gishtin e këmbës.

Mësohet se 30 vjeçari ndodhej në këmbë në lagjen “Mark Lula” kur një person ende i paidentifikuar nga policia dyshohet se ka qëlluar në drejtim të tij. Përveç plumbit në këmbë, një automjet i parkuar brenda të cilit nuk ndodhej askush ka marrë dy plumba. Menjëherë pas plagosjes në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Deri më tani efektivët nuk kanë rënë në gjurmët e autorit që mund të ketë plagosur 30 vjeçarin Ndue Preka. Ky i fundit që nga momenti i plagosjes kur është marrë në pyetje por edhe pas shoqërimit të tij në komisariatin e policisë vendore të Shkodrës nuk ka dhënë informacion se kush mund të jetë autori që e qëlloi me pistoletë duke pretenduar se nuk e njeh dhe se nuk ka patur ndonjë konflikt me ndonjë person.

“Unë nuk e di se kush më qëlloi. Nuk arrita që ta njoh autorin për shkak të errësirës dhe faktit që pasi më gjuajti u largua me shpejtësi. Nuk munda që ta identifikoj se kush ishte. Unë nuk kam konflikte me persona të tjerë ndaj nuk kam ndonjë dyshim se kush mund të jetë personi që më plagosi”, deklaroi 30 vjeçari duke mos dhënë asnjë detaj se kush mund të jetë autori që qëlloi ndaj tij. Ndërkohë shtetasi Ndue Preka është një person i njohur tashmë në rrjete sociale pasi disa kohë më parë një video ku përmendet emri i tij nga dy vajza që konfliktohen ku njëra akuzon tjetrën për një marrëdhënie intime me 30 vjeçarin, u bë menjëherë virale në internet duke marrë klikime të shumta.

Artikulli paraprak25-VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS, RAMA CITON KADARENË NË PRISHTINË: RUGOVA, POLITIKAN PA PALLAT E PA KOMB
Artikulli tjetërGREGOR PEMAJ: MË HOQËN NGA PUNA PA MË NJOFTUAR