Një plagosje me armë ndodhi në qytetin e Shkodrës. Shtetasi me iniciale F.O 47 vjeç u qëllua teksa ndodhej në një lokal tek ish sanatoriumi. Mënjeherë 47 vjeçari u transportua në spitalin rajonal të Shkodrës dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale. Për shkak edhe të afërsisë të vendit të ngjarjes me spitalin e Shkodrës, ndihma e parë 47 vjeçarit i është dhënë shumë shpejt. Mësohet se i plagosuri ka marrë një plumb në shpatull dhe pas ndërhyrjes së mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas plagosjes në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj plagosjeje. Policia vendore e Shkodrës bën të ditur se rreth orës 12:44 në sallën operarative mbërriti një telefonatë nga spitali rajonal i Shkodrës se ishte paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi me inicialet F.O, 47 vjeç banues në fshatin Grudë e Re, i cili në një rrugicë afër një lokali, në lagjen “Skenderbeg”, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri në shpatull.
Policia bën të ditur se ende nuk është identifikuar autori i plagosjes dhe as shkaku i kësaj ngjarje. 47 vjeçari F.O është nga fshati Xhan i njësisë Pult në Dukagjin por jeton prej vitesh në Shkodër. Sipas burimeve paraprake pranë policisë dyshohet se 47 vjeçari dhe autori ende i paidentifikuar kanë patur një konflikt të mëparshëm gjë e cila ka sjellë edhe plagosjen e shtetasit F.O.