Autori i plagosjes së 16-vjeçarit shqiptar në Romë është lënë në arrest shtëpie dhe ka treguar incidentin e ndodhur kur adoleshenti e dy të tjerë hynë në banesën e tij për ta vjedhur.
‘Ishin tre vetë, njëri mbante një levë. Doja të shtija pa i plagosur, por mendimi i parë ishte për vajzën time që ishte në shtëpi. Nëse ai person nuk do të kishte hyrë në shtëpinë time nuk do të kishte ndodhur asgjë’, thotë 29-vjeçari nga Monterotondo.
Të njëjtat fjalë ka thënë edhe zëvendëskryeministri e ministri i brendshëm italian, Matteo Salvini. ‘Ndoshta ai e thotë në mënyrë më ilustrative, por thelbi është i njëjtë. Tani kam frikë nga hakmarrja, sepse ma kanë bllokuar pistoletën dhe nuk jam i armatosur’, thotë Andrea.
Pas plagosjes, 16-vjeçari u la, supozohet nga bashkëpunëtorët, para urgjencës së spitalit Gemelli në Romë në gjendje shumë të rëndë.
‘Ishte një ngjarje nga ato që askush nuk i pret të ndodhin’, thotë i zoti i shtëpisë në Radio Cusano Campus.