Pas plagosjes së nënës në vitin 2000, për të riun shqiptar me iniciale A.B , një vit më vonë, u vendos pushimi i gjykimit të çështjes penale dhe shtrimi për mjekim të detyrueshëm në spitalin psikiatrik në Tiranë, për shkak të problemeve mendore të të pandehurit.
Por edhe pse kanë kaluar 20 vite, ky vendim nuk është zbatuar. Ai po vuan dënimin në burgun e Zaharisë në Krujë.
“Ndëshkimi që ka vendosur gjykata e Strasburgut, për rastin konkret, bëhet fjalë për rreth 25 mijë euro. Nga ana tjetër kjo legjitimon edhe të gjithë ata qytetarë që sot ndodhen në situatë të njëjtë me atë që e ka çuar çështjen në gjykatën e Strasburgut. Pra mund të ketë edhe raste të tjera e kjo rrit koston financiare të buxhetit të shtetit”, shprehet Robert Gajda.
Në të njëjtën situatë janë gjithsej 275 shtetas të cilët në vend të trajtohen si pacientë në institucione të veçanta mjekësore për ta, ndodhen në spitalet e burgjeve të Tiranës dhe Krujës.
Pavarësisht se vetë ligji për shëndetin mendor detyron Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë që personat me çrregullime mendore, duke përfshirë edhe personat e papërgjegjshëm penalisht, të trajtohen në mënyrë të barabartë.