“Arrest me burg” ka dhënë gjykata e shkallës së parë në Shkodër për Shkëlzen Xhenja, 25 vjeçari i dyshuar për plagosjen e Flutura Muçës me 18 shkurt të këtij viti në lagjen “Rus” të Shkodrës.

Në sallën e gjyqit i akuzuari kërkoi që të lirohet sepse është arrestuar dhe akuzohet me pa të drejtë dhe se nuk është ai autor i plagosjes të Flutura Muçës. Prokurorja Edlira Cufi deklaroi se ka dy alibi që lidhin 25-vjeçarin me plagosjen. E para është një plagë në gjurin e të dyshuarit që sipas ekspertizës nuk ka më shumë se 48 orë përpara plagosjes. E dyta sipas prokurorisë lidhet me Sadetin Sulën, ish-kunatin e Flutura Muçës i cili ndodhet nën masën e sigurimit “arrest me burg” i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes Suela Sulës. Suela është motra e Fluturës dhe kjo e fundit në dëshminë e saj siç edhe deklaroi organiz i akuzës ka dëshmuar se plagosja e saj është porosi e ish-kunatit sepse mes dy familjeve vijon që të ketë një konflikt.

Sadetin Sula ka deklaruar se nuk është ai autor i vrasjes së ish-bashkëshortes ndërsa familja e Suelës e akuzon atë si vrasës. Nga ana tjetër ka edhe një konflikt për fëmijët të cilët mbahen nga tezja e tyre, e plagosura Flutura Muça. I dyshuari Shkëlzen Xhenja është liruar nga burgu me 17 janar të këtij viti duke përfituar nga amnistia pas një dënimi 4 vjte e 8 muaj që ka patur për vendosje tritoli në vitin 2014 në banesën e biznesmenit Bledar Canka. Sipas prokurorisë alibia qëndron se të dy Sadetin Sula dhe Shkëlzen Xhenja kanë qenë në burg dhe mund të kenë gjetur ndonjë lidhje përmes të dënuarve të tjerë. Të dy alibitë janë hedhur poshtë nga avokati mbrojtës Fatbardh Kadrija. Sipas mbrojtjes plaga në gjurin e Shkëlzen Xhenjes ka ardhur pas rrëzimit nga kali në lagjen e tij në Kiras. Sa i përket lidhjes që bën prokuroria si të dënuar, avokati tha se Sadetin Sula ndodhet në burgun e Burrelit ndërsa Shkëlzen Xhenja ka qenë në burgun e Shën Kollit përpara se të lirohej në 17 janar.

Jo vetëm se nuk kanë qëndruar asnjëherë në të njëjtin burg por edhe nuk kanë asnjë njohje sëbashku. Mbrojtja vijoi më tej duke thënë se dënimi i parë ka shërbyer edhe si rehabilitim dhe nuk mund të rëndojë mbi të dyshuarin për të marrë dënimin e dytë në një kohë që nuk ka asnjë provë. Avokati kërkoi lirimin e menjëhershëm sepse s’ka asnjë indicie por gjyqtarja Irida Kacerja vendosi ta lërë shtetasin Shkëlzen Xhenja në paraburgim për të vijuar hetimet mbi plagosjen e Flutura Muçës.

Artikulli paraprakFALJA E DETYRIMEVE PËR 140 MIJË PRONARË AUTOMJETESH, JA KUSH PËRFITON
Artikulli tjetërPARLAMENTI DISKUTON PROJEKTLIGJET, OPOZITA SEANCË PLENARE NË ÇADËR