Sherri për bllokimin e rrugës së makinës në parkimin e një hoteli është bërë shkak për plagosjen e 27-vjeçarit Ervis Murati nga punonjësi i policisë Ndue Ndoj.

I riu është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën,ndërsa efektivi Ndoji është vetëdorëzuar në polici 2 orës pas ngjarjes.

Një konflikt i çastit është shkaku i plagosjes së 27-vjeçarit në Sauk. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të martës, kur punonjësi i policisë nga Lezha, Ndue Ndoj dhe 3 persona të tjerë janë konfliktuar në ambientet e parkimit.

Policia është e rezervuar për ngjarjen, por nga burimet mësohet se shkaku ka qenë bllokimi i rrugës në parkimin e hotelit, nga një prej personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Nga të dhënat e para mësohet se autori i dyshuar e ka qëlluar 27-vjeçarin me armën e shërbimit në pjesën e barkut dhe është larguar me shpejtësi, për tu vetëdorëzuar 2 orë pas ngjarjes.

Murati është dërguar në spitalin e Traumës, ndërsa policia ka shpallur në kërkim dy personat e tjerë të cilët janë larguar nga vendngjarja.

Ndue Ndoj është punonjës policie i qarkullimit në qytetin e Lezhës, ndërsa në kryeqytet ndiqte një kurs pranë akademisë së sigurisë.

Artikulli paraprakMJETI DEL NGA RRUGA, PLAGOSEN MATURANTËT
Artikulli tjetërRUSIA KËRKON LIRIMIN E SHTETASIT RUS TË ARRESTUAR NË VERI TË KOSOVËS