Plakja graduale e popullsisë dhe emigracioni, që ka përfshirë kryesisht të rinjtë, po e ndryshon ndjeshëm strukturën e popullsisë në vend, duke përmbysur piramidën në favor të moshave më të vjetra.

INSTAT raportoi se popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, me rënie 1.1%, ose 31.8 mijë persona më pak sesa një vit më parë.

Të dhënat më të detajuara të INSTAT, sipas grupmoshave, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se rënien më të madhe e ka pësuar grupmosha deri në 29 vjeç, sidomos ajo nga 15-29 vjeç, që ka qenë më e prirur dhe për të emigruar, si për shkollë, me prindërit, apo për të punuar.

Në total, vendi kishte 40 mijë më pak të rinj nga 0-29 vjeç në janar 2023, në krahasim me janarin 2022, nga të cilët 27.5 mijë, ose gati 70% janë të moshës 15-29 vjeç. (shiko grafikun: Ndryshimi vjetor i popullsisë, sipas grupmoshave, 2023/2022).

Në rritje të lehtë është grupmosha 30-39 vjeç, ndërsa po tkurret për 40-59 vjeç.

Ndërsa të rinjtë po pakësohen gjithnjë e më shumë, po shtohen me ritme të lartë të moshuarit mbi 60 vjeç, me gati 17 mijë persona më shumë se një vit më parë.

Përmbysja e piramidës

E parë më afatgjatë, në dy dekadat e fundit, popullsia e vendit ka shënuar ndryshime drastike, që e kanë përmbysur piramidën e saj.

Në vitin 2001, grupmosha nga 0-29 vjeç përbënte 53.5% të popullsisë totale. Në vitin 2011 kjo peshë kishte zbritur në 47%, ndërsa në janar të 2023 arriti nivelin më të ulët historik prej 37.3%, ose 16.2 pikë përqindje më pak se dy dekada më parë.

Në të kundërt, grupmosha mbi 60 vjeç po rritet me shpejtësi. Në vitin 2001, ajo përbënte 11.1% të popullsisë totale. Në vitin 2011 kjo peshë u rrit në 15.4%, ndërsa në janar të 2023 arriti nivelin më të lartë historik prej 23.5%, ose 12.4 pikë përqindje më pak se dy dekada më parë.

Rënie e peshës së popullsisë në moshë produktive dhe rritja e asaj në pension pritet që të përkeqësojë më shumë skemën e pensioneve që edhe sot është në ngërç për shkak të tkurrjes së vazhdueshme të raportit mes kontribuuesve dhe përfituesve.

Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara (që i bën llogaritë bazuar në tendencën e viteve të mëparshme) ritmet e plakjes së popullsisë shqiptare pritet të jenë shumë të larta, duke ia tejkaluar dhe vendeve që sot kanë një moshë mediane (mosha që ndan popullsinë përgjysmë) më të lartë sesa ne.

Sipas parashikimeve, 49% e popullsisë së Shqipërisë do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2100, pesha më e lartë në botë dhe dyfishi i mesatares globale deri në atë vit.

Sfida e një popullsie në plakje do të ndikojë në të gjithë sektorët e shoqërisë, duke përfshirë tregun e punës dhe financiar, kërkesën për strehim dhe transport, dhe veçanërisht strukturat familjare dhe lidhjet midis brezave.

Artikulli paraprakTAKIM I ORËVE TË VONA, ÇFARË U DISKUTUA MES KURTIT, ESCOBAR DHE LAJÇAK. ZYRTARËT E LARTË TAKOHEN SOT ME OSMANIN
Artikulli tjetër1800 SHQIPTARË TË KTHYER NË 6 MUAJ/ NGA MOHIMI I AZILIT, TE NDALIMI I HYRJES PËRGJITHMONË NË BRITANI, JA ÇFARË PARASHIKON PROJEKTLIGJI I RI