Formimi i Ushtrisë së Kosovës po vazhdon që të jetë njëra ndër çështjet më të rëndësishme për vendin. Megjithatë, legjislativi po “zhagitë” transformimin apo ndryshimin e ligjit për FSK-në.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, njëherësh deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se janë duke pritur qeverinë për këtë cështje. Ndërsa, në rast se dështon, atëherë duhet që të shfrytëzohet plani tjetër. “Ne presim qe Qeveria e Kosovës të përzgjedh vendimin në Kuvend, në rast se mund të bindin Listën Srpska për ndryshimet kushtetuese atëherë gjithçka është në rregull, nëse jo atëherë duhet të zgjedhin versionin e planit “B”e në këtë rast duhet të ndërrohet funksioni sipas kapaciteteve të FSK-së”,ka thënë Haradinaj. Më tej, ai ka shtuar se ligji në fjalë duhet të ndryshohet dhe se qeveria nuk duhet që të humbasë shumë kohë. “Natyrisht se ligji pa ndryshu nuk ndryshon as FSK-ja as mandati. Por në rast se Qeveria e Kosovës vlerëson që nuk mundet me bind Listën Srspk-a atëherë nuk duhet të humb kohë që ta sjellë ligjin e thjeshtë”, ka thënë deputeti i AAK-së.