Plani si në Francë, sulm në stadium me tritol e armë.

Katër shqiptarët e arrestuar në Shkodër si të implikuar me organizatën terroriste ISIS,kishin planifikuar të sulmonin stadiumin “Loro Boriçi” me eksploziv dhe më pas me automatikë, teksa do zhvillohej ndeshja Shqipëri-Izrael. Urdhri për të kryer kasaphanën brenda dhe jashtë stadiumit ka mbërritur nga disa luftërtëtarë Kosovarë që luftojnë për ISIS-in në Siri. Lavdërim Muhaxheri,që drejton një batalion rekrutësh nga Ballkani dhe Ridvan Haqifi, po ashtu drejtues i një grupimi rekrutësh në Siri, kanë urdhëruar që të sulmohen të pafetë, (Izraelitët), ku të luanin futboll në stadium. Qëllimi ka qenë për të kryer një skenar të njëjtë terrori si në Paris, kur ishte planifikuar të zhvillohej ndeshja e futbollit Francë-Gjermani. Në komunikimet që Muhaxheri, Haqifi dhe disa persona të tjerë në Kosovë kanë mbajtur nëpërmjet “Skype”, është biseduar se duhet patjetër të sulmohet,pasi kështu ishte vullneti i profetit. Muhaxheri dhe Haqifi,në bisedat e kryera mësohet të kenë pohuar se shteti i kalifatit, e ka miratuar këtë sulm dhe se sapo të kryhej, do merte përsipër autorësinë e këtij akti, që siç e quanin ata,ishte i devotshëm. Ndër të tjera, Muhaxheri dhe Haqifi, nëpërmjet urdhrave të tyre, që transmetoheshin tek celula e tyre në Kosovë dhe më pas kjo e fundit, ia transmetonte imamit të vetëshpallur Xhezair Fishti, kërkon me insistim organizimi i një sulmi me armë në burgun, ku qëndrojnë 9 personat e arrestuar dy vite më parë nga prokuroria e Krimeve të Rënda, mes të cilëve dhe dy imamët e vetëshpallur Genci Balla dhe Bujar Hysi. Të dyja këto sulme, duhej ti kryenin dy celula, ajo kosovare dhe ajo shqiptare, njerëzit e të cilave duhet të bashkëpunonin me njëri-tjetrin, fillimisht për të sulmuar izraelitët. Në këto takime mes dy celulave, shqiptarët kishin zgjedhur berberin Ergys Faslija, mjekun Bekim Protopapa, Medat Hasani dhe imamin e vetëshpallur të një xhamije në Dibër, Xhezair Fishti. Ky i fundit, ka qënë dhe personi që hynte dhe dilte në Kosovë, me argumentin e mbajtjes së ligjëratave në xhami dhe organizimeve fetare, Fishti, merte urdhërat në Kosovë që vinin nga Muhaxheri e Haqifi, dhe më pas i transportonte këto urdhëra tek celula e tyre në Shkodër. Në bisedat e përgjuara, mes tyre SHISH dhe Prokuroria kanë konstatuar se anëtarët e dy grupeve shfaqin pakënaqësi ndaj sistemit, pakënaqësi ndaj dënimeve të disa imamëve në Kosovë dhe Shqipëri, madje u bëhet thirje dhe lutje fetare që këto burgje të sulmohet patjetër, nëpërmjet hakmarjes së tyre. Gjithashtu nç bisedat e përgjuara, kërkohet hakmarje edhe për gjyqtarët që kanë dhënë këto vendime. I gjithë materiali referues i nisjes së hetimeve dhe arrestimi në Shqipëri i 4 personave dhe Kosovë të 9 të tjerëve e 3 personave në Maqedoni, ka ardhur nga shërbimet intelegjente partnere, të cilat kanë fiksuar biseda për kryerje të akteve terroriste. Për këto dyshime, është bërë edhe ndërhyrja për arrestimin e tyre për të evituar çdo incident të mundshëm si për lumturimin e 38 martirëve katolikë në meshën e Shkodrës ashtu edhe para dhe gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael, që tashmë do të zhvillohet në Elbasan.

Artikulli paraprakAEROPLANMBAJTESJA RUSE DEBON NENDETESEN E NATO-S
Artikulli tjetërPLAGOSET ME PISTOLETE 32 VJEÇARI,POLICIA:TENTOI TE VETEVRITET