Planifikonin vrasjen e Putinit, atentat ndaj çiftit ne Kiev

Një çeçen, i akuzuar se komplotoi për të vrarë presidentin rus Vladimir Putin, mbeti i plagosur, ndërsa gruaja e tij u vra, kur makina e tyre ra në një pritë në afërsi të kryeqytetit ukrainas, Kiev. Adam Osmayev, i cili mbeti i plagosur në këmbë, tha se gruaja e tij Amina Okuyeva u qëllua në kokë, kur një shi plumbash goditën makinën me të cilën ata udhëtonin. Zyrtarë të ndryshëm ukrainas nxituan që të dënojnë ashpër atentatin ndaj çiftit dhe thanë se dyshojnë për përfshirjen e shtetit rus. Adam Osmayev dhe gruaja e tij Amina, para atentatit kishin statusin e heroit në Ukrainë, pasi kishin luftuar kundër rebelëve prorusë në lindje të vendit. Në vitin 2012, zyrtarë rusë thanë se Osmayev dyshohej të ishte pjesë e një komploti islamik për të vrarë presidentin Putin. Nga spitali, Osmayev deklaroi se, pasi u qëlluan nga breshëritë e plumbave, ai e ngau makinën derisa ajo u ndal për shkak të dëmeve të pësuara, ndërkohë që bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë. Kjo është hera e dytë këtë vit, që çiftit i bëhet atentat. Në qershor, një person që hiqej si gazetar francez hapi zjarr ndaj Adam Osmayev në Kiev, por gruaja e tij e ndjerë e shpëtoi duke plagosur agresorin. Sulmi ndaj çifit të luftëtarëve bëhet vetëm një javë pas atentatit me bombë ndaj deputetit nacionalist ukrainas, Ihor Mosiychuk, ku ky i fundit u plagos. Në komentin e tij për mediet, Osmayev nuk ngurroi të lidhte bashkë të dyja ngjarjet dhe autorët e tyre.

Artikulli paraprakMBLIDHET KRYESIA E PS, DO TË ZËVENDËSOHET SAIMIR TAHIRI
Artikulli tjetërBLERINA GJYLAMETI DHE SPIROPALI ZËVENDËSOJNË TAHIRIN NË POSTET