Një konflikt i nisur në një lokal në Elbasan ka degjeneruar në sherr me thika e për pasojë kanë mbetur të plagosur pesë persona.
Bëhen me dije disa detaje në lidhje me plagosjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në një lokal pranë shkollës “Qamil Guranjaku”, në kryqëzimin Rinia, në Elbasan.
Raportohet se autorët kanë hyrë të përgatitur në lokal. Ata kanë nisur të godasin me mjete te forta dhe thika tre pronarët e lokalit, për arsye ende të panjohura.
Bashkë me tre pronarët, të plagosur mësohet se kanë mbetur edhe dy klientë të lokalit që kanë ndërhyrë për t’i mbrojtur.
Agresorët kanë thyer xhama e karrige, ndërsa sherri është shuar me ndërhyrjen e forcave “Shqiponja”. Të plagosurit janë transportuar në spitalin e Elbasanit dhe mësohet të jenë jashtë rrezikut për jetën.